Vendosni fjalën kyçe....

VMRO-DPMNE nuk do mbështesë propozimin francez në Kuvend


Protestat që kërkojnë refuzimin e propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes, që po bllokon fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE), ka vazhduar në ditën e dhjetë me radhë.

Me moton “Ultimatum – jo faleminderit” demonstruesit u tubuan para qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për të vazhduar më tej drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa përfundoi para Shtëpisë ligjvënëse.

Siç është paralajmëruar, seanca në të cilën deputetët e vendit do të diskutojnë mbi propozimin francez për kornizën e negociatave të vendit me BE-në do të mbahet nesër pasdite, ku gjithashtu edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të adresohet para deputetëve. Gjatë qëndrimit të saj në Shkup, ajo do të pritet në takime të ndara edhe nga presidenti Stevo Pendarovski, kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Hristijan Mickoski, lider i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE, e cila mbështet protestat kundër propozimit francez, mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale njoftoi se pavarësisht rezultatit të seancës së nesërme partia e tij nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese.

“Informacioni dhe farsa në Kuvend mund të kalojë, por jo ndryshimi i Kushtetutës”, shkroi Mickoski.

Protesta përfundoi pa incidente, ndërsa demonstruesit thanë se nesër protesta do të nisë në mesditë, para fillimit të seancës parlamentare për propozimin francez, që është paralajmëruar të fillojë në orën 13:30, menjëherë pas adresimit të shefes së Komisionit Evropian.

Më 30 qershor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi një propozim të modifikuar nga presidenca franceze, pas së cilës filloi një proces konsultimi, fillimisht me Qeverinë dhe partnerët e koalicionit, e më pas me Presidentin e Shtetit, me Parlamentin dhe me opozitën, si dhe me sektorin civil.

Ditët e kaluara, Mickoski ka theksuar se propozimi aktual i Francës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë është i njëjti me atë të mëparshëm dhe se, sipas tij, përmban “të gjitha kërkesat bullgare në aspektin e gjuhës, historisë dhe identitetit”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se propozimi i modifikuar përfshin vërejtjet dhe qëndrimet e palës maqedonase dhe se parasheh një pranim të qartë të gjuhës maqedonase.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilit hartoi propozimin, beson se është gjetur një zgjidhje kompromisi me propozimin për të dyja palët.

Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos dyvjeçare të Bullgarisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.