Vendosni fjalën kyçe....

Albpetrol, KLSH gjen mbi 69 milionë euro dëm nga marrëveshjet hidrokarbure


Kompania publike e prodhimit dhe nxjerrjes së naftës është vënë nën auditim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ku për aktivitetin e shtrirë në disa vite janë gjetur me dhjetëra milionë euro dëm të lidhura me aspekte të ndryshme.

Pjesën më të madhe të këtij dëmi e mban zbatimi i marrëveshjeve hidrokarbure që sipas KLSH kap vlerën mbi 8 miliardë lekë apo rreth 69 milionë euro.

“Për periudhën objekt auditimi, lidhur me zbatimin e marrëveshjeve hidrokarbure janë krijuar detyrime të kontraktorëve ndaj “Albpetrol Sh.A”, konkretisht për pjesën e PPE dhe ASP, detyrime financiare të papaguara për shërbimet e ofruara nga “Albpetrol” ShA, korigjimi i koeficientit R nga mos zbritja e shpenzimeve të përfshira në kostot hidrokarbure nga kontraktorët e marrëveshjeve hidrokarbure, të cilat kanë sjellë efekte financiare negative në vlerën 8,397,275,500 lekë”, thuhet në dokument.

PPE është ai që njihet si prodhim-para ekzistues që është sasi që Albpetrol e kishte para se një vendburim ta merrte në shfrytëzim një operator privat. Bilanci është mujor ku secila nga palët bën rakordimet për detyrimet.

Por përveç detyrimeve për pjesën takuese të Albpetrol duket se problem ka qenë edhe krijimi i detyrimeve në energji nga ana e kontraktorëve të kompanisë publike.

KLSH raporton se në zbatimin e marrëveshjeve hidrokarbure janë krijuar detyrime të papaguara nga kontraktorët për energji elektrike në vlerën 1,268,578,937 lekë,(mbi 10 milionë euro) vlerë e cila është e ardhur e munguar për buxhetin e shoqërisë “Albpetrol” ShA.

“Nga mos pagesat në kohë për detyrime për energjinë elektrike, “Albpetrol” ShA ka akumuluar detyrime për kamatëvonesa në vlerën 1,909,362,631 lekë, vlerë e cila edhe pse nuk është likuiduar ende, është një detyrim real i cili do të ketë një efekt negativ financiar në buxhetin e shoqërisë në vijim.

Në pasqyrat financiare të vitit 2020 të hartuara nga shoqëria nuk është paraqitur vlera e kamatëvonesave prej 1,323,265,398 lekë për mos pagesën e faturave të energjisë elektrike. Shoqëria në pasqyrat e saj financiare ka në detyrimet afatgjata në vlerën 2,882,966,924 lekë e cila përbën vlerën e dividendit të papaguar në llogarinë e ortakut të vetëm Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Pagesa e fundit është kryer në vitin 2017, e më pas nuk janë kryer më likuidime” nënvizojnë audituesit.

Një problematikë tjetër e hasur gjerësisht në administratë është ajo e largimeve nga puna ku për Albpetrol këto kanë qenë masive.

“U konstatuan shpenzime të cilat kanë sjellë efekte negative financiare në buxhetin e shoqërisë në vlerën 315,548,500 lekë, të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e vendime gjyqësore për largime nga puna të punonjësve në kundërshtim me kuadrin rregullator në fuqi, për shpërblime dietash me vlerë më të madhe se kufijtë e lejuar ligjorë, si dhe persona të punësuar mbi strukturën e aprovuar nga Këshilli Mbikëqyrës” thuhet në dokument.

KLSH ka gjetur parregullsi edhe sa i takon punësimeve në kompani ndërkohë që kjo e fundit ishte në proces ristrukturimi dhe shkurtim të vendeve të punës. Po kështu vetë ristrukturimi është bërë pa pasur një studim kurse për kompani të caktuara janë gjetur pagesa për punë të pakryera./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor