Vendosni fjalën kyçe....

Vijon sherri online mes Donald Trump dhe Elon Musk: Dikur po t’i thoja “ulu në gjunjë” e bënte


Vazhdon sherri mes ish-presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe CEO-s së dy kompanive “Tesla” dhe “SpaceX”, Elon Musk.

Në një postim në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump shprehet se dikur ai ishte në gjendje ta bënte miliarderin të gjunjëzohej para tij dhe të lutej për ndihmë.

Trump reagoi pas thirrjes që Musk i bëri për të hequr dorë nga kandidimi për t’u rizgjedhur në vitin 2024.

“Kur Elon Musk erdhi në Shtëpinë e Bardhë duke më kërkuar ndihmë për të gjitha projektet e tij të shumta të subvencionuara, qofshin ato makina elektrike që nuk lëvizin mjaftueshëm, makina pa shofer që përplasen ose raketa që s’shkojnë gjëkundi, subvencione pa të cilat ai do të ishte i pavlerë, dhe duke më thënë se ai ishte një fans i madh dhe republikan i Trump-it, mund t’i kisha thënë: ‘Ulu në gjunjë dhe lutu’ dhe ai do ta kishte bërë.”- shkruan Trump.

Në një postim tjetër, Trump e këshilloi Musk-un të fokusohej për “të dalë nga rrëmuja në Twitter”, duke pretenduar se miliarderi mund të detyrohej të paguante 44 miliardë dollarë për diçka që ndoshta është e pavlerë.

Ai iu referua padisë, të cilën Twitter ngriti të martën kundër Musk, duke e akuzuar atë për shkeljen e kontratës për blerjen e kompanisë.

Musk ishte i shpejtë për të reaguar ndaj postimeve të ish-liderit amerikan. Ai iu përgjigj një komentuesi se ishte duke qeshur e më pas postoi një nga personazhet e serialit të animuar “The Simpsons”.

Grindja mes Musk dhe Trump filloi fundjavën e kaluar, kur ish-udhëheqësi amerikan e quajti CEO-n e Tesla-s një “artist leshi” dhe e akuzoi atë se kishte gënjyer kur tha se kishte votuar për të në vitin 2016.

Musk u përgjigj duke thënë se është koha që Trumpi “shumë i plakur” të tërhiqet e dalë në pension.