Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dalë sot në një deklaratë për mediet, ku i përgjigjet me urgjencë ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, lidhur me aferën e inceneratorëve.
Kryemadhi e pyet zonjën Ibrahimaj, se përse Tatimet nuk kanë shkuar të kontrollojnë magazinat e kompanive të inceneratorëve siç e kanë detyrë për të konfirmuar evazionin fiskal.
“Sapo dëgjova deklaratën e ministres së Financave e cila pranoi haptas që ekziston evazioni fiskal i këtyre kompanive.
Më vjen mirë që ka një reagim pas kaq kohësh, por jam e bindur se në gjithë deklaratën e saj ka shumë luhatje.
I kërkoj ministres së Financave të bëjë transparencë se çfarë investimi është bërë në inceneratorin e Tiranës deri më sot. Kërkoj vetëm transparencë nga qeveria shqiptare.
Ajo që unë kërkoj është kushti i investimit të 1028 milionë eurove nga koncensionari i Inceneratorit të Tiranës, me të vetmin kusht, shërbimin që do t’i ofronte bashkia e Tiranës duke depozituar mbetjet me 29 Euro tonin.
Nuk është i realizuar dhe nëse nuk është realizuar, a mund të na thotë Ministria e Financave sa ka paguar deri tani dhe këto 47 milionë euro sipas Open Data që janë paguar nga buxheti i shtetit, për çfarë kanë shërbyer dhe çfarë shërbimi është bërë në Inceneratorin e Tiranës?
Kjo është detyrë kryesore e Ministrisë së Financave për të shpjeguar se ç’bëhet me paratë e buxhetit të shtetit. Unë e di mirë dhe s’ka nevojë të ma thotë ministrja e Financave se kompanitë që kam denoncuar janë kompani fiktive, false, që nuk kanë mjete pune, nuk kanë mallra në magazinë dhe as njerëz të punësuar. Kemi kontrolluar në bazë të dokumentacionit që ne kemi, që këto kompani kanë shërbyer për të bërë gjithë evazionin fiskal të Klodian Zotos dhe kompanive të tjera. Megjithatë unë do t’i bëj përsëri një pyetje ministres së Financave.
A i keni kontrolluar magazinat e këtyre kompanive? Sepse kjo është detyrë e Drejtorisë së Tatimeve. Mjafton të pyesësh sot bizneset shqiptare, në dyert e të cilëve kanë çdo javë hetimin tatimor që kontrollojnë magazinat e tyre, që nga uji, sheqeri, vaji… Në këto kompani, hetimi tatimor në kaq vite nuk ka zbarkuar asnjëherë. Nëse kjo do kishte ndodhur, tani do kishim të paktën një vendim të ministrisë së Financave për të denoncuar në Prokurori. A e dini se këto kompani kanë faturuar direkt në Inceneratorin e Fierit zonja ministre?
Dhe çfarë veprimesh keni ndërmarrë ju pasi këto pagesa në Inceneratorin e Fierit janë bërë deri në vitin 2020. Pra ju i keni konstatuar këto kompani që kanë qenë fiktive dhe false në 2018 por buxheti i shtetit, ministria e Financave, qeveria juaj, ka vazhduar të paguajë në këto kompani fiktive deri në vitin 2020 për Inceneratorin e Fierit.
A e dini ju zonja ministre që Klodian Zoto ka qenë nënkontraktor në 3 inceneratorë dhe në këto kompani ka kryer evazion fiskal 25 milionë dollarë.
Cilat kompani kanë bërë blerje fiktive dhe shitje fiktive.
Kjo është çështja që duhet të sqarojë ministrja dhe drejtoria e Tatimeve. Ministrja e di mirë se përfituesit kryesoë janë kompanitë e inceneratorëve, kompanitë e koncensioneve dhe kompanitë që kanë fituar punët publike dhe janë para të cilat çdo ditë e më shumë bien mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë. Ky është një tjetër krim që vazhdon të investohet nga qeveria shqiptare. Ndjej dhembshuri për ministren që thotë se nuk mund ta hetoj këtë sepse është detyrë e SPAK-ut.
Tani po shikoj që qeveria e Ramës po bën fajtor SPAK për mos hetimin e inceneratorit të Tiranës.
Pra Ministrja akuzon prokurorin e Prokurorisë që vijojnë hetimet për inceneratorin e Tiranës.
I bëj thirrje mos vijojë të paguajë më këtë kontratë korruptive, nëse ka vullnet pozitiv për të dënuar këtë skemë korruptive, të çojë në Gjykatë pezullimin e kontratës me inceneratorin e Tiranës për të vetmen arsye, sepse po të verifikojë që investimi prej 28 milionë eurosh nuk është bërë, është shumë e thjeshtë për të kursyer të paktën 80 mijë dollarë në ditë qytetarëve shqiptarë.
Zonja ministre kontrollojeni dhe një herë deklaratën tuaj se është në panik dhe frikë por në këtë rast jeni në kundërshtim me veten tuaj, me vendimet e qeverisë dhe kryeministrit tuaj, por jeni duke akuzuar sot nga goja e ministres se SPAK që është ajo që nuk vepron për ndalimin e kontratës së koncensionit të inceneratorëve.”– tha Kryemadhi.
Ky reagim vjen pasi ministrja Ibrahimaj, tha më herët se institucioni që ajo drejton është mjaftuar me faktin se i ka ofruar prokurorisë të gjithë informacionin e nevojshëm.