Vendosni fjalën kyçe....

Inflacioni në eurozonë arrin rekordin e ri prej 8.6%


Inflacioni në vendet që përdorin euron arriti një tjetër rekord, i ndikuar nga rritja e madhe e kostos së energjisë, pjesërisht edhe për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Inflacioni vjetor në 19 vendet e eurozonës arriti në 8.6% në muajin qershor, duke kaluar shifrën 8.1% të regjistruar një muaj më parë. Të dhënat mbështetën në shifrat e fundit të publikuara të premten nga agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat. Inflacioni është në nivelin më të lartë nga fillimi i regjistrimit të të dhënave për euron në vitin 1997.

Çmimet e energjisë u rritën me 41.9% dhe çmimet e ushqimeve u rritën me 8.9%. Në të dyja rastet, kjo shënon rritjen më të shpejt krahasuar me muajin paraprak.

Kërkesa për energji është rritur pasi ekonomia globale doli nga izolimi i plotë i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por gjërat u përkeqësuan edhe nga pushtimi rus i Ukrainës, raporton VOA.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord të ndalojnë shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit, duke shkaktuar rritjen e çmimeve.

Blloku i përbërë prej 27 vendeve evropiane synon të ndëshkojë Moskën dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga energjia ruse, por kjo gjithashtu po mbingarkon njerëzit dhe bizneset, ndërsa faturat e shërbimeve dhe çmimet te pompat e benzinës, po rriten.

Rusia, muajin e kaluar, pakësoi furnizimet e gazit natyror që përdoret për industrinë dhe prodhimin e energjisë elektrike drejt disa vendeve të BE-së si Gjermania, Italia dhe Austria, krahas ndërprerjes së plotë të gazit për Francën, Poloninë, Bullgarinë dhe të tjerët.

“Embargoja e naftës dhe ulja e furnizimit me gaz, që u njoftuan gjatë muajit qershor janë arsyeja kryesore që çmimet e energjisë u rritën”, shkroi në një koment ekonomisti me përvojë për eurozonën tek Banka ING, Bert Colijn.

Rritja e çmimeve të konsumit është një problem në mbarë botën, duke përfshirë edhe SHBA-në dhe Britaninë e Madhe që po përjetojnë inflacionin më të larta të 40 viteve të fundit, përkatësisht 8.6% dhe 9.1%. Kjo ka bërë që Rezerva Federale, siç njihet Banka Qëndrore e SHBA-së, Banka e Anglisë dhe banka të tjera qendrore në mbarë botën, të miratojnë një sërë rritjesh të normave të interesit për të luftuar inflacionin.

Zoti Colijn tha se të dhënat e fundit për inflacionin në eurozonë shtojnë presionin mbi Bankën Qendrore Evropiane për të vepruar shpejt.

Banka Qëndrore Evropiane po planifikon që këtë muaj të rrisë normën e interesit për herë të parë pas 11 vjetësh, ndërsa rritja tjetër pritet të bëhet në muajin shtator. Presidentja e Bankës Qëndrore Evropiane, Christine Lagarde tha këtë javë se ajo dëshiron të bëjë lëvizje graduale për të trajtuar rritjen e çmimeve të konsumit, për të shmangur pengesat e rimëkëmbjes ekonomike. Megjithatë, ajo po e lë të hapur derën për rritje më të mëdha të normave të interesit, në rast se inflacioni rritet më shumë se sa pritej.

Por bankat qendrore rrezikojnë të shkaktojnë recesion pasi e bëjnë huamarrjen më të shtrenjtë.

Inflacioni në zonën e Euros ka vendosur rekorde mujore që nga viti i kaluar, duke nxjerrë në pah ndikimin që lufta ka patur tek furnizimet globale të energjisë, që ka sjellë si pasojë shtrenjtimin e jetës për 343 milionë njerëz.

Rritjet e çmimeve për mallra si veshjet, pajisjet elektroshtëpiake, makinat, kompjuterët dhe librat mbetën mjaft të qëndrueshme në 4.3%, ashtu si ndodhi edhe me çmimet për shërbimet në 3.4%.

Të dhënat e BE-së treguan gjithashtu se vendet fqinje me Rusinë që janë përpjekur të heqin dorë nga gazi i lirë rus po mbajnë peshën kryesore të çmimeve në rritje. Inflacioni vjetor arriti në 22% për Estoninë, 20.5% për Lituaninë dhe 19% për Letoninë.

Polonia, e cila nuk përdor euron, por është anëtare e BE-së, raportoi të premten se inflacioni u rrit në 15.6% në qershor, krahasuar me një vit më parë, norma më e lartë në një çerek shekulli.

Analistët vunë në dukje se rritja më e madhe në Poloni ishte në çmimet e benzinës dhe naftës, të cilat u rritën me 46.7% krahasuar me një vit më parë. Çmimet e ushqimeve u rritën me 14.1%.