Vendosni fjalën kyçe....

SHISH fotografoi Fredi Ymerin kur jepte para dhe merrte USB dhe dokumente në lokale


Hetimi i SHISH dhe SPAK ka zbardhur aktivitetin e celulës së dyshuar për spiunazh shtetëror në Tiranë. Pesë personat e dyshuar, mes të cilëve spikat ish-zyrtari i SHISH, Frederik Ymeri, rezultojnë se janë takuar dhjetëra herë në Tiranë me kontaktet e agjentëve të vendeve jo mike me Shqipërinë. Në këto takime janë shkëmbyer USB dhe dokumente kundrejt pagesave në lekë, euro dhe dollarë. Prokuroria dyshon se ish- zyrtarët e SHISH dhe policisë kanë shitur të dhënat që mblidhnin përmes kontakteve të tyre në institucionet e sigurisë në vend.

Televizioni Ora News zbulon detaje të tjera lidhur veprimtarinë e celulës së spiunazhit në Tiranë, e cila sipas SPAK-ut dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërvepronte me agjensi të huaja inteligjente, jo mike të Shqipërisë.

Sipas dosjes që disponon Ora News, rezulton se Frederik Ymeri, ishte personi shumë aktiv lidhur me sigurimin e informacionit të klasifikuar.

Këto informacione, thuhet në dosje, ai i siguronte nga lidhjet e tij në institucionet e sigurisë dhe konkretisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror.

Ymeri rezulton të jetë babai i kreut të Agjensisë ADISA, Lorin Ymeri, por ky i fundit në asnjë rast nuk përmendet në materialin hetimor të siguruar nga televizioni Ora News.

Por ky hetim është shtrirë dhe në verifikimin e personave anëtarë të familjes, duke u marë në analizë veprimet e Ymerit dhe babait të tij, që dikur ka shërbyer si Drejtor i Krimit të Organizuar në aparatin Qëndror të SHISH.

Sipas dosjes hetimore, Frederik Ymeri, gjatë zhvillimit të kësaj veprimtarie, siguron dhe informacione nga dy lidhjet e tij të ngushta Gjergji Koti dhe Maksim Ferra, edhe këta të dy ish-drejtues të SHISH.

Komunikimet e Frederik Ymerit me dy personat e mësipërm janë periodike dhe gjatë zhvillimit të këtyre takimeve, shihet e njëjta mënyrë të vepruari.

Ata fillimisht kontaktojnë në telefon, pastaj lenë vendin e takimit, ku pijnë kafe dhe në kafe bëhet shkëmbimi i një USB-je me lekë, euro ose dollarë.

Gjatë hetimeve janë kryer përgjime në vende publike të shoqëruara me fotografime e filmime të Frederik Ymerit, Maksim Ferrës dhe Gjergji Kotit.

Nga këto përgjime në vendet publike të tyre ka rezultuar se Frederik Ymeri është takuar 16 herë me lidhjen e tij, Maksim Ferra.

Një herë të vetme është takuar me Gjergji Kotin, 6 herë është takuar me lidhjen tjetër Luftar Çunaj dhe 5 herë me shtetasin, Bashkim Abazi.

Në të gjitha rastet Frederik Ymeri, është takuar me Maksim Ferra, në të njëjtën bar-kafe dhe konkretisht në bar-kafe “C…”, që ndodhet në rrugën “Reshit Çollaku” përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare.

Gjatë takimeve të bëra midis këtyre dy personazheve, është konstatuar se në 9 raste, është bërë shkëmbim USB-je me shuma parash, ku konkretisht shtetasi Maksim Ferra i ka dhënë Frederik Ymeri USB, dhe në këmbim Fredi i ka dhënë shuma parash në lekq, por edhe valutë të huaj, ku konkretisht në një rast dollarë dhe në një rast euro.

Ymeri ka kryer një takim me Gjergji Kotin tek bar-restorant që ndodhet afër zonës së njohur si “Stacioni i Trenit”, Tiranë.

Gjatë takimit është konstatuar Gjergji Koti, që i ka dhënë një copë letre të bardhë me shënime Frederik Ymerit dhe njëkohësisht i ka folur duke i treguar letrën.

Frederik Ymeri, pasi e ka lexuar për disa sekonda letrën, e ka futur në xhep dhe më pas është larguar duke ecur në drejtim të banesës së tij.

I gjithë takimi është dokumentuar edhe me fotografime.

Gjithashtu në raport thuhet se Ymeri është takuar me Luftar Çunaj 7 herë në bar-kafe që ndodhet midis rrugës “Çamëria” dhe rrugës “Kavajës”, afër vendit të njohur si zona e “Dollarit”, Tiranë.

Gjatë takimeve është konstatuar se Luftar Çunaj, i ka treguar dokumenta në format A4 Frederik Ymerit dhe kanë biseduar duke konsumuar kafe.

Ndërkohë nga ana e agjentëve të SHISH dhe Antiterrorit, thuhet se nuk është bërë e mundur të dallohet përmbajtja e dokumentave.

Ymeri është takuar 5 herë me Bashkim Abazin në bar-kafe që ndodhet tek zona e njohur si “Pallatet Agimi”, Tiranë.

Gjatë takimeve është konstatuar se dy personat kanë konsumuar kafe dhe kanë biseduar midis tyre.

Edhe në këtë takim agjentët nuk kanë mundur të mësojnë se për çfarë kanë diskutuar dhe nëse dy këta personazhe kanë bërë ndonjë shkëmbim sendesh apo dokumentesh.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Ora News