Vendosni fjalën kyçe....

OBSH/ Trefishohet brenda muajit numri i hepatitit misterioz te fëmijët, një pjesë e tyre kërkojnë transplant të organit


Numri i rasteve të raportuara të mundshme të hepatitit të rëndë akut me origjinë të panjohur te fëmijët është trefishuar në një muaj, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një deklaratë të premten.

Numri i rasteve është rritur në 920 në mbarë botën, nga 270 në raportin e mëparshëm të organizatës në fund të muajit të kaluar. Numri i tanishëm mund të jetë edhe më i lartë, tha OBSH.

Përhapja u zbulua fillimisht në fillim të prillit, kur Britania raportoi dhjetë raste të hepatitit misterioz te fëmijët më parë të shëndetshëm nën moshën 10 vjeç.

Që atëherë, rastet janë raportuar në 33 vende, ku shumica vijnë nga Britania dhe SHBA. Sipas OBSH-së, 45 fëmijë kishin nevojë për transplantim të mëlçisë dhe 18 kanë vdekur.

Fëmijët zakonisht e marrin hepatitin nga disa shkaqe, duke përfshirë infeksionin nga virusi i hepatitit A dhe nga ekspozimi ndaj medikamenteve të caktuara, si paracetamoli. Shkencëtarët tani po sugjerojnë se rritja e hepatitit mund të lidhet me Covid-19 ose adenoviruset, por nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar shkakun rrënjësor.

Tali Bogler, kryetar i Obstetrikës së Mjekësisë Familjare në Spitalin St. Michael në Toronto, i tha Reuters se një nga teoritë sugjeron që fëmijët ‘nuk ishin aq të ekspozuar ndaj viruseve gjatë pandemisë’. Teori të tjera supozojnë se rritja e rasteve të hepatitit mund të nxitet nga një sindromë inflamatore pas infektimit, tha ajo.