Vendosni fjalën kyçe....

Deutsche Welle: Gjermania mbështet sipërmarrjet inovative të rinisë në Ballkanin Perëndimor


Të rinj dhe të reja sipërmarrës në biznese inovative nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor takohen në një “Growth Camp” në Tiranë.

“Growth Camp” është pjesë e një projekti rajonal të zbatuar nga Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ në bashkëpunim me Qendrën e Inovacionit “Ofiꞔina” në Tiranë, të mbështetur nga “Fondi i Hapur Rajonal për Ballkanin Perëndimor” i Ministrisë Federale Gjermane për Zhvillim Ekonomik dhe Bashkëpunim.

“Projekti trevjeꞔar synon të mentorojë sipërmarrje inovative nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të prodhojnë dhe të shesin prodhimet e tyre përtej kufijve kombëtarë. Janë biznese, start ups, që bazohen në teknologji të reja në fusha të ndryshme, të tilla si përdorimi i teknologjive inovative në turizëm, energji, matjen e cilësisë së tokës, që fermerët të rrisin prodhimet e tyre etj.” – thotë për DW, Arjan Ymeri, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit, “Ofiçina”në Tiranë.

Qëllimi i programit është rritja e kulturës për sipërmarrje dhe mbështetja e bizneseve innovative që gjejnë rritje shumë të shpejtë. Në raundin e Tiranës morën pjesë rreth 60 pjesëmarrës në 15 ekipe, të moshës nga 27-45 vjeç.

Transferim kapacitetesh tek sipërmarrjet inovative rajonale

Projekti rajonal “Growth Camp” ka filluar dy vjet më parë dhe në kushtet e pandemisë Covid-19 është zhvilluar online. Për herë të parë të rinjtë dhe të rejat që kanë sipërmarrje inovatore në rajon u takuan dhe njohur personalisht në raundin e zhvilluar këto ditë në Tiranë. ”Jam shumë e lumtur që më në fund zhvilluam në Tiranë një raund real të “Growth Camp”, me praninë fizike të pjesëmarrësve pas dy vjetësh raundesh virtuale për shkak të pandemisë”, tha për DW, Frosina Ilieska, Menaxhere e GIZ për zyrën e Fondit të Hapur Rajonal, në Shkup.

Mentorimi për rritjen e prodhimeve dhe shitjeve përtej kufijve kombëtarë të produkteve të bizneseve inovative realizohet nga kompania holandeze TNWe specializuar në fushën e përgatitjes teknike të sipërmarrjeve të reja inovative. “Sipëmarrjet e reja inovative në Ballkanin Perëndimor kanë bërë shumë përparime vitet e fundit. Kjo është e dukshme në aktivitetet që kemi zhvilluar në rajon. Mendoj se të rinjtë dhe të rejat që kanë nisur sipëmarrje inovative janë shumë ambiciozë dhe teknikisht të talentuar. Por përvoja e tyre në zhvillimin e biznesit është e limituar pasi dhe vetë Ballkani Perëndimor është në një fazë të tillë zhvillimi në përgjithesi, Por është e rëndësishme që sipërmarrësit nga ky rajon të përparojnë çdo vit”, tha për DW, Ana Vazquez Romero, eksperte e TNW.

Vazhdimi i mbështetjes për të rinjtë e përzgjedhur

Programi synon të përshpejtojë marrjen e njohurive për rritjen e bizneseve inovative në Ballkanin Perëndimor përmes transferimit të kapaciteteve. Në raundin e zhvilluar në Tiranë pjesëmarrësit patën mundësi të njohin njëri-tjetrin, të shkëmbejnë ide për bizneset e tyre dhe të krijojnë mundësi bashkëpunimi dhe idesh komplementare, shumë përfituese në kushtet e mungesës së kapaciteteve në secilin nga gjashtë vendet e rajonit.

“Ekipet nga rajoni duhet të jenë më të hapura për të bashkëpunuar jo vetëm mes tyre por edhe me partnerë nga Europa. Ato duhet të dalin sa më shpejt nga tregjet lokale, rajonale në ato europiane dhe të rrisin kapacitetet e ndërtimit të rrjetit të investitorëve dhe organizatave. Shpresojmë të vijojmë me zhvillimin e tyre edhe në të ardhmen si dhe të bashkëpunojmë me qeveritë dhe organizata të tjera mbështetëse.”– thotë për DW, Ana Vazquez Romero, eksperte e TNW.

Gjatë raundeve të “Growth Camp” pjesëmarrësve u jepen njohuri sesi të rrisin financimet, si të kërkojnë tregje të reja, ku mund të marrin kredi për zhvillimin e bizneseve të tyre. Ata që arrijnë rezultare të larta gjatë raundit të parë përzgjidhen për të zhvilluar një program të mëtejshëm të një niveli më të lartë, ku secili prej tyre asistohet në mënyrë individuale dhe jo në grup për të arritur objektiva në prodhimin e prodhimeve me teknologji inovativesi  dhe për shitjen e tyre.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Deutsche Welle