Vendosni fjalën kyçe....

“Miqtë e Ballkanit” dhe IUSY letër liderëve të BE-së: Koha të hiqni pengesat dhe t’i hapni rrugë integrimit të Ballkanit Perëndimor


Nesër mbahet Samiti i radhës të Bashkimit Evropian dhe Partia Socialiste është angazhuar në një proces lobimi politik për zgjerimin e mbështetjes në fillimin zyrtar të bisedimeve të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Kështu, rrjeti “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” i përbërë nga partitë dhe fondacionet simotra të Partisë Socialiste të Shqipërisë kanë dalë një deklaratë të përbashkët drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian.

Në këtë deklaratë thuhet se është koha që liderët evropianë të heqin pengesat që bllokojnë anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

 “Është koha e duhur që liderët evropianë të heqin pengesat që vazhdojnë të pengojnë procesin e anëtarësimit. Është koha që të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Është koha që BE-ja të mbështesë konkretisht përpjekjet e Bosnje-Hercegovinës për të kapërcyer ngërçin politik dhe për të vendosur reforma demokratike, në mënyrë që vendit t’i sigurohet statusi i kandidatit sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe është koha që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave, kriteret e të cilit janë përmbushur në vitin 2018.”- thuhet në deklaratën e bërë publike.

Thirrjes së Partisë Socialiste i është bashkuar edhe IUSY (Këshilli Botëror i të Rinjve Socialist) që gjithashtu i është drejtuar me një letër publike drejtuesve të Këshillit të Bashkimit Evropian.

“E ardhmja e Evropës duhet të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe zëri i të rinjve duhet të dëgjohet kur krijojnë drejtimin e zhvillimit të Evropës, bazuar në pritshmëritë dhe nevojat e tyre.”– thuhet në deklaratën e IUSY-t.

BASHKIMI NDËRKOMBËTAR I TË RINJVE SOCIALISTË

Vjenë, 21 qershor 2022

LETËR E HAPUR UDHËHEQËSVE TË BE-së

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është çështje sigurie!

I nderuari President i Këshillit Evropian, Charles Michel,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Evropian,
I nderuari Përfaqësues i Lartë i Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell,
I nderuari President i Komisionit Evropian,
I nderuari President i Parlamentit Evropian,

Të rinjtë nga Ballkani Perëndimor po bëjnë thirrje për veprimin tuaj urgjent. A do të dëgjoni zërin dhe

nevojat e të rinjve dhe të veproni tani?
Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e Evropës dhe ekonomisë, sigurisë dhe stabilitetin e saj në rajon. Prandaj, në vitet e fundit BE-ja ka zhvilluar politika të ndryshme për të mbështetur integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Me kalimin e viteve, shumë breza të rinjsh në Ballkanin Perëndimor janë rritur me vizionin dhe dëshirën për të jetuar dhe punuar në vendlindjen e tyre, në një vend pjesë e familjes evropiane, me të njëjtat mundësi dhe nën të njëjtat vlera si kolegët e tyre në shtetet anëtare të BE-së. Në fund, ata arritën ta bëjnë këtë, por duke jetuar jashtë vendit, larg atdheut, në një nga shtetet e zhvilluar evropiane, anëtare të BE-së.
Qindra mijëra, zakonisht të rinj, janë larguar nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe janë zhvendosur në vendet e BE-së për të ndjekur arsimin e mëtejshëm ose punën. Gjithashtu, një përqindje e madhe e të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç, duan të largohen pa qëllim për t’u rikthyer, i cili është një fakt shqetësues.
Largimi i trurit dhe ritmet e larta të emigrimit po i bëjnë dëm masiv perspektivës së Ballkanit Perëndimor dhe ne besojmë se një perspektivë më e fortë e BE-së mund ta ndryshojë këtë rrjedhje.
Ne jemi të vetëdijshëm për limitet dhe kufizimet e fuqisë së BE-së, megjithatë duke pasur parasysh se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende ndër më të varfrat në Evropë dhe ritmi i tyre i konvergjencës me standartet evropiane është i ngadaltë, shpresojmë që zhvillimi i këtij rajoni brenda BE-së do të ecë më shpejt dhe do të prodhojnë rezultate të dukshme – duke u ofruar kështu brezave të rinj një shans për të punuar dhe jetuar në shtëpi dhe të kontribuojnë në përparimin dhe zhvillimin e drejtë të vendeve të tyre.
Integrimi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE ka qenë një proces i vazhdueshëm tash e gati dy dekada. Megjithatë, ne ende besojmë se sot, më shumë se kurrë, vendimet e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e rajonit dhe rinisë sonë.
Përballë një krize të paprecedentë në Evropë, duke filluar me pandeminë COVID-19 dhe duke përfunduar me një luftë shkatërruese në Ukrainë, rajoni i Ballkanit Perëndimor po përjeton një krizë socio-ekonomike të pafundme, me efekte të rëndësishme veçanërisht te gratë dhe te të rinjtë.

 

Megjithatë, dhe veçanërisht gjatë kohërave të krizës, ne kemi parë ndikimin që të rinjtë mund të sjellin në komunitetet e tyre kur zëri i tyre dëgjohet. Prandaj, vendosëm të ngremë zërin tani, për të theksuar rëndësinë e këtij momenti dhe pritshmëritë tona nga liderët aktualë për të dhënë shpresën që u nevojitet të rinjve.
Dhe cilat janë nevojat tona? Ne, Rinia Ballkanike, duam një të ardhme gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për ne dhe brezat e ardhshëm në vendet tona. Ne duam të kemi mundësi të barabarta për punë të denjë, arsimim ose trajnim, të kemi të drejta të barabarta për të udhëtuar dhe eksploruar. Ne ndihemi evropianë, jemi pjesë e Evropës, prandaj duam që vendet tona të kenë trajtim të barabartë dhe qytetarët tanë të drejta të barabarta, si të gjithë qytetarët evropianë. Ne duam të luftojmë së bashku kundër ndryshimeve klimatike, për të siguruar zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Axhendës 2030, sepse jo vetëm nevojat tona, por edhe prioritetet tona janë të njëjta me të rinjtë në të gjithë Evropën.
E ardhmja e Evropës duhet të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe zëri i të rinjve duhet të dëgjohet kur krijojnë drejtimin e zhvillimit të Evropës, bazuar në pritshmëritë dhe nevojat e tyre.
Ne e vlerësojmë gjestin politik të dhënë nga institucionet evropiane për të shënuar këtë vit si Viti Evropian i Rinisë. Vlerësojmë faktin që Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është shpallur Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022. Ne kemi treguar se ndajmë vlerat themelore evropiane dhe të rinjtë janë të përkushtuar ndaj parimeve dhe vlerave evropiane, prandaj meritojnë një të ardhme brenda BE-së.
Por ne ju nxisim, secilit prej liderëve të zgjedhur evropianë të së tashmes, që të bëni ndryshimin për një të ardhme më të mirë. Është koha e duhur për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Prandaj, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve evropianë dhe Këshillit Evropian që:
1. Të ndiqni rekomandimet e miratuara me shumicë dërrmuese nga Parlamenti Evropian, në raportet 2021/2244 (INI) për Shqipërinë dhe 2021/2248 (INI) për Maqedoninë e Veriut, dhe të nisni negociatat për anëtarësimin në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut;
2. Të promovoni dhe organizoni konferencat e para ndërqeveritare për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më së voni deri në fund të vitit.Ne sinqerisht besojmë dhe presim që thirrjet tona do të kenë ndikim dhe ju do të demonstroni vullnetin politik dhe aftësinë e BE-së për të reaguar shpejt dhe në mënyrë efektive dhe për të riafirmuar përkushtimin e BE-së për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për t’u dhënë të rinjve shpresa se tani është koha për të ecur përpara me integrimin në BE dhe se Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes evropiane.

Kliko këtu për letrën origjinale