Vendosni fjalën kyçe....

SPAK paralajmëron mediet: Gjobë ose burg kush publikon dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpërndarë një urdhër për ndalimin e publikimit të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt.

“Duke marrë në konsideratë rëndësinë e deklarimeve të dhëna prej këtyre shtetasve, faktin që jemi në fazën e hetimit paraprak intensiv dhe po kryhen shumë veprime të tjera hetimore në drejtim të personave që po hetohen si dhe në respektim të të drejtave të viktimave të veprave penale, bazuar edhe në nenin 103 të K.Pr.Penale, lind e nevojshme që të ndalohet publikimi i përmbajtjes së tyre (qoftë edhe të pjesshme) nëpërmjet shtypit apo informacionit masiv.”– thuhet në dokumentin e SPAK-ut.

Në vendimin e saj, Prokuroria e Posaçme paralajmëron se personat që nuk e zbatojnë këtë urdhër, do të përballen me përgjegjësi penale duke paralajmëruar gjobë ose burgim deri në 5 vite duke përmendur Kodin Penal.

“Urdhërohet ruajtja e sekretit të deklarimeve të dhëna nga ana e Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani në kuadër të procedimit penal nr.75 të vitit 2022 në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë apo si person ndaj të cilit zhvillohen hetime deri në përfundim të hetimeve.

Ndalimin e publikimit qoftë edhe të pjesshëm të procesverbalit të deklarimeve të shtetasve Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime apo edhe në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Ndalimin e publikimit të përmbajtjes së këtyre akteve nëpërmjet shtypit apo informacionit masiv. Mozbatimi i këtij urdhri sjell përgjegjësi penale sipas parashikimeve të nenit 295/a, paragrafët 4 dhe 5 të Kodit penal.”- thuhet në urdhër.

Çfarë thotë ky nen: “Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.”