Vendosni fjalën kyçe....

Sondazhi me bizneset gjermane/ 43% e vlerësojnë negativisht situatën ekonomike, presin rritje të emigrimit


Situata ekonomike e Shqipërisë në syrin e bizneseve gjermane vlerësohet negative nga të paktën 43 për qind prej tyre.

Në anketën e përvitshme që publikohet nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri vihet re se është ulur numri i bizneseve që kanë perceptim negativ në raport me vitin 2021, kur negativisht e vlerësuan 63 për qind e të anketuarve.

Ndërkohë që kënaqshëm për situatën ekonomike janë përgjigjur 39 për qind e bizneseve duke u rritur nga viti i kaluar, kur këtë përgjigje e dhanë 29 për qind e bizneseve të pyetura. Situata është vlerësuar “mirë” nga 18 për qind e bizneseve.

Faktorët që kanë ndikuar në vlerësimin e bizneseve sipas anketës janë produktiviteti dhe motivimi i punonjësve, barra tatimore, stabiliteti politik dhe social apo infrastruktura që janë në rritje, ndërsa me rënie është vlerësuar kualifikimi i punonjësve, kostoja e punës, fleksibiliteti në të drejtën e punës apo sistemi i arsimit profesional.

Nga ana tjetër, të pyetur mbi sa të kënaqur janë bizneset me faktorë të caktuar këta të fundit kanë vlerësuar më pozitivisht se vitin e kaluar akesin në fondet e BE-së, administratën publike, parashikueshmërinë e politikave ligjore, transparencën e tenderëve publikë apo luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Por përmirësimi edhe sërish ka qenë i lehtë duke i lënë vlerat larg nga vlerësimi shumë mirë.

Më negativisht se një vit më parë, ata kanë vlerësuar disponueshmërinë dhe cilësinë e furnitorëve lokalë, disiplinën në pagesa, disponueshmërinë e fuqisë punëtore të kualifikuar, negociatat për anëtarësimin në BE.

Bizneset kanë renditur gjithashtu faktorët më pozitivë dhe më negativë dhe nga 1 tek 5 më negativët ishin lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, transparenca në tendera publikë, negociatat për në BE ndjekur nga siguria ligjore dhe parashikueshmëria e politikave ekonomike.

Çmimi i energjisë në raport me vitin 2021 është ai që vlerësohet si rreziku më i madh nga bizneset në 12 muaj e ardhshëm teksa një vit më parë rreziqet ndaheshin mes kushteve, financimit dhe kërkesës. Mungesa e forcës së punës dhe kostot e punës janë gjithashtu dy rreziqe potenciale për bizneset.

Tregu i punës shihet me shqetësim nga bizneset dhe të paktën 72.72 për qind e tyre vlerësojnë se emigrimi do të intensifikohet përballë 18.8 për qind që presin që të ulet në të ardhmen e afërt.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al