Vendosni fjalën kyçe....

“Flamurin e lëvizjes suaj e keni të vulosur me non-grata”- Noka kërkon fjalën pas deklaratës së Ramës, por Nikolla i fik mikrofonin


Përsëri debate në seancën e sotme plenare. Deputeti i PD-së, Flamur Noka kërkoi fjalën pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama me argumentin se ky i fundit i kishte përmendur emrin.

Por Nikolla i tha atij se Rama nuk ia kishte përmendur atij emrin, dhe nuk ia dha fjalën.

“S’ju përmendi fare, e kishte me Flamurin, jo emrin tuaj personal.”- tha Nikolla.

Ajo që e kishte nervozuar Nokën është se Rama më herët iu drejtua deputetëve të PD-së që të mos harrojnë se “flamurin” e tyre e kanë të arkivuar me një vulë sipër, non-grata.

“Do t’ju sugjeroja që mos ta harroni që Flamurin tuaj, jo Nokën, Flamur përshëndetje, e kam me flamurin udhëheqës të partisë tuaj, të lëvizjes suaj të madhe e keni të arkivuar me një vulë sipër, non-grata. Dhe për çfarë? Për korrupsion, për korrupsion madhor dhe jo nga KLSH i Leskos, por nga DASH.

Kështu që këto nuk duhen harruar, as e para, as e dyta. Për ta vënë në perspektivë çdo debat, qeveria nuk lufton këtë apo atë, nuk krijohet për të luftuar këtë apo atë, as opozita nuk është aty për të luftuar këtë apo atë. Ju vazhdoni merruni por do mbeteni aty. Ju thatë që në vendin tim, nuk do shfrytëzonit dobësitë e mia, nuk e kuptova mirë, por mbase ka të bëjë me faktin që ju si opozitë, si kopsht pa drekë po kaloni një moment të vështirë dhe ju jeni në një moment dobësie që ne nuk duhet ta shfrytëzojmë.

Kjo nuk është një çështjes e shfrytëzimit të një momenti dobësie, por nëse jeni të vetëdijshëm se në çfarë momenti jeni bëni mirë ta qepni gojën. Nëse vini këtu dhe thoni se jeni në një moment të dobët, por jemi këtu t’ju tregojmë se kush jeni ju, atë herë sigurisht që do merrni përgjigje dhe përsëri vini te i njëjti gabim.”– shprehej Rama.

DEBATI MES NOKËS E NIKOLLËS

Noka: Kërkoj replikë

Nikolla: S’ju përmendi fare, e kishte me Flamurin, jo emrin tuaj personal.

Noka: Mbani veshët hapur, përmendi emrin zotëria. E shoh se këtu ka një sikronizimin për të përkëdhelur ty nga të dyja palët, por shqiptarëve s’ju intereson se kshu ju përkëdhel më shumë me fjalë, Rama apo Alibeaj. S’kanë nevojë për të parë tango dyshe, se kanë dhe ku zhvillohen.

Noka: Nuk është për procedurë…

Nikolla: E ndërpreva fjalën se nuk është procedurë, po komentoni. Komentet nuk janë procedurë.

Noka: Jo nuk vijojmë. Dua fjalën.

Nikolla: Do vijojmë se për reciprocitet mori fjalën Alibaej. Ju nuk po flisni për procedurë

Noka: Më jepni fjalën!