Vendosni fjalën kyçe....

Gjiknuri për hartën e re gjyqësore: Ka më shumë avantazhe se disavantazhe, janë respektuar rekomandimet e Kuvendit


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri mbështeti hartën e re gjyqësore, duke thënë se ka respektuar rekomandimet e Kuvendit.

“Rregullimi i hartës, rishpërndarja e gjyqtarëve të cilët do të menaxhojmë fluksin do të sjellë më shumë eficencë, më shumë llogaridhënie, më shumë standardizim. Standardizimi e bën më të thjeshtë dhe për palët për të kuptuar le të themi integritetin e procesit gjyqësor dhe mbi të gjitha do të krijojë zgjidhje më të mira në shërbim të publikut. Pastaj çdo gjë tjetër patjetër ka balancë. Unë them se ju nuk keni bërë gjë tjetër përveçse keni zbatuar ligjin dhe e keni bërë atë në kohë. KLGJ e ka kryer misionin e saj Kushtetues, ka menaxhuar procese të vështira dhe rekomandimet e Kuvendit janë marrë parasysh dhe ajo që mbetet me interes është se si do të zbatohet harta e re gjyqësore, nëse do të rrijë te varianti final që besoj i tillë do jetë. Do kemi mundësi vitin tjetër për të parë dhe mënyrën se si u hartua.”– tha Gjiknuri sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend.

Sipas tij, harta e re ka më shumë anë pozitive se anë negative. Gjiknuri theksoi se harta e re do t’i shërbejë reduktimit të çështjeve dhe menaxhimit të fluksit të konflikteve që dalin.

“Rregullim i hartës do të sjellë më shumë eficencë dhe do të krijojë zgjidhje më të mira në shërbim të publikut. Ka avantazhe dhe disavantazhe. Problemi është se cila është më e madhe. Në përfundim dua të them që KLGJ e ka kryer misionin e saj kushtetues. Rekomandimet e kuvendit janë marrë parasysh. E rëndësishme është si do miratohet harta e re gjyqësore nëse miratohet që me shumë mundësi do të ndodhë.
Ky proces ka ndodhur edhe në vitin 2007-2008 ku u bë një hartë pa asnjë lloj kriteri. Edhe atëherë në disa rrethe ka pasur kundërshtime. Këto histori kanë qenë gjithmonë nuk ndodh për herë të parë. Mund të ketë kosto ekstra për disa por duhet t’i vëmë gjërat në balancë.”-tha Gjiknuri i cili shtoi se rritja e numrit të gjyqtarëve është domosdoshmëri.