Vendosni fjalën kyçe....

Gazment Bardhi pas arrestimit të ish-kryebashkiakut socialist: Të miratohet Vettingu në politikë


Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku, pasi u kap me 20 kg kokainë në Itali.

Ndërsa ndan një video në “Facebook” me deklarata të kryeministrit Edi Rama kur mbronte Kajmakun, Bardhi bën thirrje për Vetting të Politikanëve.

Ai e konsideron kryeministrin Rama përgjegjës për “kriminalizimin e qeverisjes qëndrore dhe lokale” dhe se ka bllokuar iniciativën e PD-së për vettingun e politikës.

“Edi Rama është përgjegjës për kriminalizimin e qeverisjes qëndrore dhe lokale. Ai nuk mund të fshihet dhe nuk mund ti ikë përgjegjësisë së tij.

Edi Rama e emëroi Agim Kajmakun kryetar të bashkisë së Vorës dhe ai do të ishte sot në detyrë nëse PD nuk do kishte denoncuar të shkuarën e tij kriminale. Asokohe Edi Rama dhe Belinda Balluku, në vend të ndjesës ndaj qytetarëve, zgjodhën baltën ndaj denoncuesve.

Që nga muaji Tetor 2021 Edi Rama ka bllokuar iniciativën e PD për vettingun e politikës. Sot më shumë se kurrë ajo iniciativë duhet të ecë përpara, duke garantuar jo vetëm largmin e të inkriminuarve nga qeverisja, por edhe shkëputjen e lidhjeve mes krimit dhe politikës.”– shkruan Bardhi.