Vendosni fjalën kyçe....

Detyrimet e prapambetura arritën në 122 mln euro në mars 2022, u zgjeruan me 10% në 3 muaj


Pavarësisht se të ardhurat buxhetore janë rritur me ritmet më të larta të dy dekadave të fundit, rendimenti i mirë fiskal nuk po e pengon rritjen e detyrimeve të prapambetura buxhetore.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në fund të marsit 2022 detyrimet e prapambetura arritën në 14,65 miliardë Lekë lekë (122 milionë Euro) me zgjerim 10% nga fundi i vitit 2021.

Detyrimet sipas zërave janë, 4,6 miliardë lekë për infrastrukturën, të cilat zunë 38% të totalit dhe zëri “detyrime të tjera (kryesisht pushteti lokal)” me 9 miliardë lekë ose 62% e totalit.

Zëri i detyrimeve ndaj punimeve në infrastrukture u zgjerua me 18% në krahasim me fundin e vitit, ndërsa detyrimet e tjera me 5%.

Ministria e Financave e ka bërë praktikë që të akumulojë detyrime të prapambetura në fillim të vitit dhe një pjesë të tyre ta shlyejë në fund të vitit, nëpërmjet hapësirës së deficitit buxhetor të pashfrytëzuar. Pavarësisht luhatjeve qeveria po mban në mënyre konstante detyrime të prapambetura që luhaten në 130-150 milionë euro në këto dy vitet e fundit.

Por, institucionet e specializuara të auditit ngrenë dyshime se llogaritë e detyrimeve të prapambetura janë më të mëdha se raportimet e qeverisë në tabelat fiskale. Psh në këto detyrime ende nuk është kontabilizuar një detyrim i madh që rrodhi nga gjykata e Strasburgut ndaj çështjes “Becchetti” me një shumë rreth 100 milionë euro.

Dy vite më pare, një raport i auditit të brendshëm të qeverisë hodhi alarmin për shumën e madhe të detyrimeve të prapambetura në llogarite e qeverisë. Ekspertë nga Ministria e Financave thanë se këto detyrime krijohen nga prokurimet për punë dhe shërbime jashtë programit buxhetor afatmesëm dhe atij vjetor.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka gjetur në auditet rutinë se entet publike e kanë kthyer në rutinë thyerjen e udhëzimeve për përdorimin e parave publike, pasi një përqindje e madhe e tenderëve bëhen duke mos pasur fonde të programuara në dispozicion ose me vlera mbi limitin.

KLSH evidentoi se fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të vitit 2020.

KLSH vërejti se për këto çështje, Avokatura e Shtetit nuk disponon informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit. Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave i hap rrugë njohjes së të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor.

Azmi Stringa, ish drejtor i Auditimit të Buxhetit në Kontrollin e lartë të shtetit (KLSH) që ka përvojë në auditimin e buxhetit tha më herët për Monitor se, detyrimet e prapambetura përbëjnë një borxh të fshehur për angazhime të ndërmarra dhe punë/shërbime të kryera nga sektori privat, çka ndikon në raportimim real të deficitit dhe borxhit publik.

Sipas Stringës, detyrimet e prapambetura ndikojnë negativisht në nxitjen e arbitraritetit dhe korrupsionit, ku për të përfituar pagesën nga institucionet, biznesi mund të jetë i detyruar të rrijë në mëshirën e titullarëve apo të kryejë pagesa informale ndaj tyre. / B.Hoxha.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor