Vendosni fjalën kyçe....

Videoja virale e qenit që dhunohet, policia shpall në kërkim 20-vjeçarin në Tiranë


Pas videos së bërë virale në rrjet, policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 20-vjeçarin M. I., i cili shfaqet duke keqtrajtuar një qen.

Në një njoftim për mediet, Policia njofton se ka nisur kërkimin për arrestimin e të riut, pas publikimit të videos në një emision investigativ.

Videoja në fjalë është e rëndë, pasi kafsha duket në gjendje të mjerueshme pas një sjelljeje të dhunshme nga i riu, i cili e kishte lidhur qenin me litar në qafë dhe e rrotullonte në ajër.

NJOFTIMI I POLICISË

Në lidhje me një video të postuar në emisionin investigativ “Piranjat”, në të cilën shfaqet një shtetas duke keqtrajtuar një kafshë (qen), ju sqarojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasit:

– M. I., 20 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.

Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.