Vendosni fjalën kyçe....

“Shkoni p*rdhuni” – Zyra e Zelenskyt shpërthen ndaj zyrtarëve perëndimorë që i kërkojnë t’i japë territore Rusisë


Këshilltari presidencial ukrainas Alexey Arestovich përdori gjuhë të turpshme për të kritikuar ata në Perëndim që i kërkonin Kievit t’i dorëzonte Rusisë një pjesë të territorit të vendit për hir të paqes.

“Shkoni mor q*huni me propozime të tilla, o budallenj, që doni të tregtoni territorin ukrainas! A jeni të çmendur? Fëmijët tanë po vdesin, ushtarët po ndalin predha me trupat e tyre dhe po na thonë se si të sakrifikojmë territoret tona. Kjo nuk do të ndodhë kurrë.” – tha Arestovich në një intervistë të mërkurën.

Arestovich kritikoi logjikën e zërave ‘të fryrë’ që nxisin Ukrainën ‘të frenojë oreksin e saj’ dhe t’i japë Rusisë territoret që supozohet se dëshiron, pasi kjo i lejonte Kievit ‘të vendoste një paqe gjithëpërfshirëse dhe t’i kthehej biznesit si zakonisht’.

Një tjetër këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Mikhail Podoliak, shkoi në Telegram të mërkurën duke iu drejtuar ‘lobistëve pro-rusë në Evropë’.

“Ne nuk i shesim qytetarët, territoret apo sovranitetin tonë. Kjo është një vijë e kuqe e qartë. Shoqëria ukrainase ka paguar një çmim të tmerrshëm dhe nuk do lejojë askënd të bëjë një hap në këtë drejtim, asnjë qeveri dhe asnjë vend.” – tha Podoliak.

Ndërsa askush nuk dëshiron një veprim të gjatë ushtarak ose një krizë ushqimore, ‘rruga më e shkurtër për t’i dhënë fund luftës është me armë, sanksione ndaj Rusisë dhe ndihmë financiare për Ukrainën’, argumentoi ai.

“Ukrainasit mbrojtën Kievin, çliruan tre rajone dhe po përfundojnë çlirimin e të katërtit. Sot po të njëjtit na ofrojnë t’i japim Rusisë lindjen dhe jugun. Faleminderit për këshillën, por ndoshta do të rrëmbejmë armët.” – tha këshilltari.

Deklaratat nga Arestovich dhe Podoliak vijnë pasi ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger foli të hënën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Kissinger i kërkoi Ukrainës që të bënte paqe shpejt dhe të kërkonte një kthim në mënyrën si ishin gjërat përpara shkurtit.

Ukraina ka këmbëngulur se nuk do të pajtohej me asnjë propozim paqeje që nuk respekton kufijtë e saj të para vitit 2014.

Moska e ka bërë të qartë se pavarësia e Republikave Popullore të Donetskut dhe Luganskut, si dhe statusi i Krimesë si rajon rus, nuk janë për diskutim.