Vendosni fjalën kyçe....

Debati për revoltën e Spaçit përplas Ramën me deputetët e PD-së (Replikat)


Disa deputetë të opozitës janë përfshirë në debat me Kryeministrin Edi Rama për viktimat në revoltën e Spaçit.

Debati nisi pasi deputeti i PD-së, Bujar Leskaj kujtoi revoltën.

Leskaj deklaroi se janë dy ngjarje të rëndësishme që tregojnë se në kohën e diktaturës kishte qëndrestarë të vërtetë.

“Sot është një datë që të gjithë ne këtu deputetë të Kuvendit të Shqipërisë duhet të përkujtojmë dy ngjarje të rëndësishme në kohën e diktaturës që tregojnë se edhe në vitet e diktaturës kishte qëndrestarë të vërtetë dhe jo si puna jonë që u bëmë pas viteve ’90-të (..)”, deklaroi Bujar Leskaj.

Pas tij fjalën e mori kryeministri Edi Rama i cili deklaroi se ishte Partia Socialiste ajo që hapi dosjet e sigurimit të shtetit. Rama u shpreh se ata donin një Shqipëri të orientuar nga Perëndimi dhe jo nga Lindja.

“Unë bashkohem dhe ndahem me zotin Leksaj. Bashkohem me të në respekt të emrave që përmendi por ndahem me të në një fakt domethënës që gjithë përmendja e atyre që janë të vdekur të paharruar humbet çdo kuptim kur ata që i përmendin nuk jetojnë me parime dhe ideale, aspiratat dhe shembullin e tyre. Ju flisni sot këtu për ata por ndërkohë ata donin një Shqipëri ku e drejta e pronës të ishte e garantuar. Ju përfaqësoni këtu partinë që e shkatërroi të drejtën e pronës.

Ata donin një Shqipëri ku të mos ishin të gjithë si këmbët e dhisë. Kurse ju nuk patët kurajo të hapnit dosjet e sigurimit të shtetit. Ato i hapëm ne. Dhe nëse sot të gjithë kanë akses kjo është falë nesh dhe jo falë jush. Ata luftuan për një Shqipëri të drejtë dhe ku drejtësia të ishte në sensin e qeverisjes përtej rendit ligjor. Ju duhet të gjeni emrat dhe të bëni edhe një listë tjetër të atyre që vdiqën në demokraci dhe nuk morën asnjë lekë dëmshpërblim nga ju.

Ju i dhatë dëmshpërblim fisit dhe farefisit të gjallë, që dilte fisi i farefisit tuaj. Ata donin një Shqipëri të orientuar nga perëndimi dhe jo nga lindja. Nga anglo amerikanët dhe jo nga sovjetikët. Ju sot përfaqësoni palën anti-amerikane. Laje gojën mirë për mbështetjen e flamurit të rreckosur dhe pastaj fol për ata që komunizmi i mori jetën dhe para të cilëve unë përulem. Sepse kam detyrë që sat ë mundem të bëj gjëra për të cilat ata përfunduan në rrethin e nëntë të ferrit komunist. Edhe për kujtesën u desh të vinim ne që të mendonim”, deklaroi Rama.

Pas tij pati sërish një replikë nga ana e deputetit demokrat. “Unë nuk fola për të vdekur të zakonshëm unë fola për heronj. Detyrimi moral dhe shpirtëror është it ë gjithëve ne. Ju kishit detyrë të nderonit 21 Maji që është dita e Kujtesës. Duhet të jenë dita e kujtimit të qëndrestarëve anti komunistë. Ju bëtë shumë gabim. Keni raste në Kuvend për politikën e ditës. Sot edhe ju duhet të më bashkoheshit mua për përkujtimin e tyre. Janë heronj. Nuk janë vdektarë të zakonshëm. Heronj të vërtetë janë këta. Këtu e kisha fjalën. Nuk kishte lidhje fare. Ishte PD që u dha pafajësi këtyre. Ishte PD që e hartoi ligjin dhe e miratoi pa votat e tyre. Sa i përket pronave ai është një proces që duhet të vazhdojë”, tha ai.

Në debat është përfshirë edhe deputeti tjetër i PD-së, Tomor Alizoti i cili iu kundërpërgjigj ashpër kryeministrit Edi Rama. Alizoti tha se e ka jetuar atë kohë, dhe shpesh vinte në Spaç, atje ku ishte i ati.

Pasi i sugjeroi që mos të ishte aq arrogant për këtë çështje, Alizoti tha se nuk dëshironte që të dëgjonte replikën nga Rama.

“Kur unë jetoja në kasolle dhe nuk shihja prindërit, ju jetonit në Tiranë. Jo se kishit faj ju, por ruani gojën. Aristrokracia juaj na vranë njerëzit tanë. Ju bërtisnit 90 % e tyre ‘parti, Enver’. Kjo parti duhet të shkëputet nga e shkuara. Jeni arrogant dhe kjo ju bën dhe injorant. Refuzoj që t’ju dëgjoj, dhe do iki të pi një kafe për qefin tim.”, tha Alizoti.

Më pas kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj replikoi me kryeministrin Edi Rama për periudhën e diktaturës në vendin tonë. Alibeaj pyeti kryeministrin nëse e vret ndërgjegjja për atë që kanë bërë të parët e tij.

Në çështje kaq delikate që kanë qenë burgjeve, acarohesh kur të thonë diçka të thjeshtë.

Askush nuk të kërkon të mbash përgjegjësi se çfarë kanë bërë të parët e tu. Por je kryeministër dhe për të qenë demokrat siç ke predikuar dikur, duhet të bëjë një gjë.

Një shkrim nga ’92, Bedri Spahiu, i vetmi që pat një farë kthjellimi se çfarë kishin bërë të parët e vet. Ti vetë, nuk ke një brejtje ndërgjegjeje se çfarë kanë bërë të parët e tu për të mos e politizuar. Kjo do të lartësonte më i gjatë seç je. E di që ai gjithë jetën e vet e ka kaluar burgjeve. Ke një ndjesi njerëzore se çka hequr ai. E ke vetëm hipokrizi ndaj iku ai.

Askush nuk të kërkon të mbash përgjegjësi për ata, e dyta, se ke nisur prej kohësh të thuash non grata, për të qenë i ndershëm, po ti shih non gratat e tu, ke 3, 2, 3 i ke andej”, tha ai.

Rama replikoi duke u  se nuk ka jetuar asnjëherë në Bllok ndërsa shtoi se sot Enver Hoxha është gjallë vetëm përmes tyre.

Unë në Bllok nuk kam jetuar kurrë. Unë kam pasur një shtëpi si të gjithë të tjerët. Im atë nuk ka qenë kurrë anëtar i Komitetit Qendror. Ju që flisni me këtë gjuhë jeni me ideologjinë e Enver Hoxhës.

Enver Hoxha sot është gjallë vetëm përmes jush. Përmes mënyrës si ju e sulmoni kundërshtarin njësoj si ai. Përveç faktit që ju në fund nuk të fusni plumbin apo të fusni në burg. Unë nuk pres respektin tuaj.

Më mjafton respekti që kam pasur nga ata që kur dolën nga burgu pas shumë vitesh nuk kishin lidhje me ju por ishin e kundërta juaj sepse ishin e kundërta e Enver Hoxhës. Partia e Enver Hoxhës shumë prej jush ju bëri si veten. Futi urrejtjen për tjetrin. Kjo nuk është koha e Enver Hoxhës”, deklaroi Rama.