Vendosni fjalën kyçe....

U gjobit me 100 mijë lekë për takimin elektoral brenda shkollës, kryebashkiakja e Durrësit ankimon vendimin: Po binte shi atë ditë


Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, ka ankimuar vendimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që e ka gjobitur atë me 100 mijë lekë gjobë për shkelje të ligjit zgjedhor, pasi përdori ambientet e një shkolle të qytetit për organizimin e një takimi elektoral të PS-së.

Në ankimimin e depozituar në KAS, Sako kërkon heqjen e gjobës pasi sipas saj takimi elektoral nuk është zhvilluar në ambientet e shkollës, por në një shesh aty pranë. Por sipas saj u spostua në mënyrë emergjente për shkak të kushteve të motit dhe shiut të cilët kishin krijuar një terren të rënduar në vendin ku do të mbahej fillimisht.

“Kjo është shpjeguar edhe gjatë hetimit administrativ që lidhej me kushtet jo të qëndrueshme të motit që parashikoheshin në ditët që përvijuan nga momenti i raportimit deri në momentin e takimit, duke kushtëzuar spostimin emergjent nga sheshi në fshatin Armathe (ku ishte e pamundur të mbahej takimi për shkak të terrenit të rënduar) në sheshin pranë shkollës, por jo në oborrin e shkollës, si e vetmja mundësi zhvillimi të takimit. Duke qenë se nuk kishte vend tjetër. sqarojmë që në orarin e përcaktuar nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e veprimtarisë duke mos pasur fare lidhje me vetë ambientet e shkollës, gjë e cila u konfirmua edhe në seancë nga vetë drejtori i shkollës. Gjatë hetimit por edhe në marrjen e vendimit Komisioneri e trajton takimin si takim elektoral, por në të vërtetë ka qenë një takim pune i detyrueshëm për sqarimin e banorëve lidhur me rindërtimin pavarësisht se ka përkuar me periudhën e fushatës elektorale.”-thuhet në ankimimin e kryebashkiakes.

Vendimi për gjobën prej 100 mijë lekësh u mor në fund të muajit të kaluar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i cili ka gjobitur gjithashtu me 50 mijë lekë të reja edhe drejtorin e shkollës ku u mbajt takimi për fushatën.

 

sako