Vendosni fjalën kyçe....

Spartak Braho kritikon Ramën për sulmet ndaj SPAK-ut: Të kujtojnë Luigjin XIV, që thoshte “shteti jam unë”


Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka reaguar lidhur me sulmet e pak ditëve më parë të kryeministrit Edi Rama ndaj Prokurorisë së Poaçme (SPAK).

Në një shkrim me titull “Larg duart nda SPAK-u”, Braho e ka krahasuar kryeministrin me Luigjin XIV ndërsa i bën dhe një analizë sulmeve të tij.

“Sulmet dhe deklaratat kundër SPAK-ut jo vetëm që i ndalon ligji, por të drejtuara në atë formë nga kreu i ekzekutivit, ato të kujtojnë jo vetëm Luigjin XIV, që thoshte ‘shteti jam unë’, regjimin e Enver Hoxhës, por edhe Sali Berishën e parë dhe të dytë. Do ta quaja tërbim e lajthitje jashtëzakonisht të dëmshme deklaratën e mësipërme të Kryeministrit, madje mendja më shkon edhe tek një arsye tjetër.

Dihet që në Shqipëri mjaft drejtues politikë dhe persona të tjerë janë shpallur nga Departamenti Amerikan i Shtetit ‘non grata’ dhe të përfshirë në veprimtari korrupsioni. Këtu përfshihen, jo vetëm Sali Berisha, Vangjush Dako etj., të cilët po hetohen nga SPAK-u, por po hetohen edhe grupime të rrezikshme kriminelësh dhe segmente të veçanta të krimit të organizuar, veçanërisht krimit për shkelje të rënda në sektorët e ndryshëm të veprimtarisë ekonomike ku përfshihen tenderët, inceneratorët dhe investimet e pajustifikuara të qeveritarëve tanë, të të gjitha kohërave. Në këtë përpjekje, SPAK-u, ndonëse në vështirësi, ka filluar të godasë, t’i dërgojë para drejtësisë, një pjesë i ka arrestuar dhe të tjerë do arrestojë.

Brenda kësaj logjike është dhe përfundimi se ky sulm ndaj SPAK-ut bëhet ta themi troç për të devijuar punën e tij, për të bërë presion edhe ndaj hetimeve kundër Sali Berishës, Ilir Metës e CO. Edhe po të jetë kështu, kjo është shumë e rëndë. SPAK nuk ndihmohet duke iu sulur me tërbim në mbledhje partie, por kujdesi që mund të bëhet për këtë organ, janë mbështetja ligjore dhe materiale, pasurimi i kuadrit ligjor nga Kuvendi i Shqipërisë, në funksion të punës së tij. SPAK-u ka nevojë për t’i krijuar kushte pune e qetësi profesionale trupës së tij.”– shkruan Braho.

Ai shton se prokurorët nuk duhen sulmuar, por mbështetur kur denoncojnë inceneratorët, rastet e tenderave korruptive, falsifikimet në hipotekat dhe kadastrat shtetërore në Durrës dhe në të tërë vijën bregdetare, investime të dyshimta nga zyrtarë qendrore e lokal, që zhyten në llumin e përfitimeve korruptive, të padrejta, sepse realisht një duzinë ish-ministrash, drejtorë, kryetar bashkish, të majtë e të djathtë, janë sot në qelitë e sistemit penitenciar, si të akuzuar e dënuar për korrupsion me dhjetëra vite burg dhe kjo është rrjedhojë e punës së mirë të SPAK-ut.