Vendosni fjalën kyçe....

Paloka zgjidhet Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së


Pas përfundimit të votimit dhe numërimit në selinë blu, anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë votuar me shumicë votash zgjedhjen e Edi Palokës si drejtues të tyre.

Paloka rimerr kështu postin të cilin e mbante deri para përçarjes në PD mes mbështetësve të Sali Berishës dhe atyre të Lulzim Bashës.

Paloka mori 132 vota në garën e zhvilluar me ish-deputeten e qarkut të Korçës, Eleina Qirici. Nga ana tjetër Qirici mori 79 vota.

Në një prononcim për mediat, ai u shpreh se nesër do të zhvillohet një protestë e heshtur përpara komisariateve të policisë në rrethe për vetvarjen e 31-vjeçarit Ilvi Meta në Kavajë. Ndërsa në Tiranë, Paloka tha se do ketë një protestë të heshtur përpara Kryeministrisë.

Dua të falënderoj anëtarët e Këshillit Kombëtar. Falenderoj për mbështetjen që më dhanë për t’u rizgjedhur kryetar i Këshillit Kombëtar. Miratuam një rezolutë që përcakton qëndrimin e PD-së për zgjedhjen e Presidentit. Këshilli Kombëtar është organi më i lartë që përcakton linjën e PD-së. Një tjetër vendim është që nesër në gjithë Shqipërinë, do ketë një protestë përpara gjithë komisariate në rrethe për aktin e rëndë që ka ndodhur ku një njeri u gjet i vdekur në qelinë e Komisariatit të Kavajës. Pavarësisht se cili është fakti dhe e vërteta që do dalë nga hetimi, ky është një akt i rëndë që bën përgjegjës policinë e Shtetit. Nuk është i vetmi. Nesër në orën 8 përpara të gjithë Komisariate, ndërkohë në Tiranë do ketë protestë të heshtur përpara Kryeministrisë”, deklaroi Paloka.

I pyetur nga gazetarët për bojkotin e Këshillit Kombëtar të 36 deputetëve demokratë, Edi Paloka tha: “Ju e quani bojkot, sot ishin mbi 211 anëtarë të Këshillit Kombëtar”.