Vendosni fjalën kyçe....

Japonia zbulon planin për të zëvendësuar energjinë ruse


Kryeministri japonez Fumio Kishida tha të enjten se kombi do të përdorë energjinë bërthamore për të ndihmuar në uljen e varësisë së tij dhe të vendeve të tjera nga energjia ruse.

Sipas kryeministrit, i cili po përballet me zgjedhjet në korrik, Japonia do të trajtojë problemin e furnizimit me energji duke zgjeruar hartën e blerjes së mallit shumë të kërkuar.

Po kështu ai ka premtuar se vendi do nxisë burimet e rinovueshme dhe do të përdorë energjinë bërthamore për të shumëfishuar burimet e tij të prodhimit.

“Ne do të përdorim reaktorët bërthamorë me garanci sigurie për të kontribuar në uljen e varësisë në mbarë botën nga energjia ruse.” – tha Kishida, cituar nga Reuters.

“Rifillimi i vetëm një reaktori bërthamor ekzistues do të kishte të njëjtin efekt si furnizimi me një milion ton gaz në vit në tregun global.” – shtoi ai.

Për më shumë se një dekadë, Japonia e varfër me energji ka shfrytëzuar energjinë ruse për të shkurtuar varësinë e saj në Lindjen e Mesme dhe për të kompensuar kapacitetin e humbur bërthamor.

Ajo është bërë më e varur nga gazi rus që nga mbyllja e reaktorëve bërthamorë pas katastrofës së Fukushimës në vitin 2011, në të cilën një tërmet dhe cunami që pasoi shkaktuan një dëm të madh, duke shkatërruar rajonin verilindor të vendit.