Vendosni fjalën kyçe....

Babai i 31-vjeçarit që vdiq brenda Komisariatit të Kavajës: Ngjarjen e mora vesh nga media, policia s’më tha asgjë


Babai i Ilvi Metës, 31-vjeçarit që u gjet i vdekur brenda Komisariatit të Kavajës ka pohuar se vdekjen e të birit e ka marrë vesh nga media dhe se policia nuk e ka lajmëruar për ngjarjen e rëndë.

Ai tha se nuk ka asnjë informacion se çfarë ka ndodhur ndërsa pohoi se trupi i të birit është dërguar në Durrës.

“Nuk e kam marrë vesh si është e vërteta. Nuk kemi marrë asnjë informacion nga policia për vdekjen e djalit, e kemi marrë vesh ke lajmet. Çuni nuk pa ndonjë procedurë penale të fortë që të arrijë deri në vetëvrasje. E akuzuan për diçka po nuk e di për çfarë. Unë  e mora vesh vdekjen e djalit nga media. Policia nuk ka njoftuar asgjë, asnjë minutë, asnjë sekondë. Në Durrës e kanë çuar trupin, nuk dimë gjë fare, nuk e dimë se çfarë bëhet atje.”­ – tha i ati i viktimës për Syri Tv.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme rreth ors 19:00, ku i riu Ilvi Meta u gjet i vdekur në një nga dhomat e Komisariatit të Kavajës.

Paraprakisht policia dyshon për vetëvrasje megjithatë zyrtarisht do jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do përcaktojë shkakun e vdekjes.

Ngjarja po hetohet nga prokuroria e Kavajës ndërsa policia ka ngritur jë grup pune për të verifikuar atë që ka ndodhur në mjediset e Komisariatit të Kavajës lidhur me rastin në fjalë.

Deputeti i PD-së Dashnor Sula shkruajti në një shënim në Facebook se sipas burimeve të tij, i riu është dhunuar brenda komisariatit, gjë që ka çuar edhe në vdekjen e tij.