Vendosni fjalën kyçe....

Polonia thotë se do t’ia dalë pa gazin rus


Polonia ka thënë se “do t’ia dalë” pasi Rusia i ndërpreu furnizimin me gaz të mërkurën.

Siç shkruan BBC, firma ruse e energjisë Gazprom i kishte thënë Polonisë dhe Bullgarisë se do të ndalonte furnizimin me gaz për vendet “jomiqësore” që refuzojnë të paguajnë në rubla.

Të dhënat nga rrjeti i operatorëve të transmetimit të gazit të Bashkimit Evropian tregojnë se furnizimi i Polonisë tani është ndërprerë.

Por Polonia thotë se do të marrë gaz nga burime të tjera. Nuk është ende e qartë nëse furnizimet e Bullgarisë janë shkurtuar gjithashtu.

Të dyja vendet kanë refuzuar të paguajnë në rubla – monedhën ruse.

Kompania shtetërore polake e gazit PGNiG tha se ishte njoftuar se të gjitha dërgesat e gazit do të ndaleshin nga ora 08:00. Ministria bullgare e Energjisë tha gjithashtu se ishte informuar që dërgesat do të pezulloheshin nga e mërkura.

PGNiG mbështetet tek Gazprom për shumicën e importeve të gazit dhe bleu 53% të importeve nga kompania ruse në tremujorin e parë të këtij viti. PGNiG e përshkroi pezullimin si një shkelje të kontratës, duke shtuar se kompania do të ndërmarrë hapa për të rivendosur furnizimin me gaz.

Pas lajmit, ministria e klimës së Polonisë tha se furnizimet me energji të vendit ishin të sigurta. Ministrja Anna Moskwa tha se nuk kishte nevojë për të nxjerrë gaz nga rezervat dhe se gazi për klientët nuk do të ndërpritet.

Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Marcin Przydacz, tha se vendi i tij ishte përgatitur për mundësinë që Rusia të kufizonte eksportet e gazit duke diversifikuar furnizimet e saj.

“Unë jam shumë i sigurt se ne do të arrijmë ta trajtojmë këtë.”– tha ai për BBC.

Ai shtoi se pezullimi vërtetoi se Moska “nuk ishte një partner i besueshëm në asnjë lloj biznesi” dhe u kërkoi vendeve të tjera evropiane si Gjermania të mbështesin një ndalim të importeve ruse të energjisë.

Polonia tashmë po planifikonte të ndalonte importin e gazit rus deri në fund të vitit, kur skadon kontrata e saj afatgjatë e furnizimit me Gazprom.

PGNiG tha se depoja e saj nëntokësore e gazit ishte pothuajse 80% e plotë dhe, me afrimin e verës, kërkesa ishte më e ulët. Polonia ka gjithashtu burime alternative të furnizimit, duke përfshirë një terminal të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Swinoujscie.

Më 1 maj, do të hapet gjithashtu një lidhje e re gazsjellësi me Lituaninë që do t’i japë Polonisë akses në gaz nga terminali LNG i Lituanisë. Dhe një tubacion i ri që jep gaz nga Norvegjia, i njohur si “Tubacioni Baltik” thuhet se do përfundojë në tetor. Ai duhet të arrijë kapacitetin e plotë deri në fund të vitit dhe mund të zëvendësojë të gjitha dërgesat ruse.