Vendosni fjalën kyçe....

Zakharova i përgjigjet zv.ministrit britanik: Atëhere edhe ne mund të sulmojmë vendet e NATO-s


Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova i është përgjigjur deklaratave të zëvendësministrit britanik të Mbrojtjes James Hippy, i cili i konsideroi të ligjshme sulmet e Kievit në territorin rus me armët e marra nga perëndimi.

Në një postim në “Telegram”, Zakharova shprehet se nëse kjo është e ligjshme atëhere edhe Rusia mund të sulmojë vendet anëtare të NATO-s.

“A e kuptojmë saktë se për hir të ‘ndërprerjes së logjistikës së furnizimeve ushtarake’ Rusia mund të godasë objektivat ushtarake në territorin e atyre vendeve të NATO-s që furnizojnë me armë regjimin e Kievit? Në fund të fundit, kjo çon drejtpërdrejt në vdekje dhe gjakderdhje në territorin e Ukrainës. Me sa kuptoj unë, Britania është një nga këto vende.”- tha ajo, citon RBC.

Më pas duke iu referuar zv.ministrit Hippy, Zakharova shton: “Thellësia e mendimit të udhëheqjes së Ministrisë Britanike të Mbrojtjes është e dyta pas inteligjencës së udhëheqjes së Ministrisë së Jashtme të këtij vendi.”

Kjo ka qenë deklarata që ka bërë zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, sipas të cilës me armët e marra nga Perëndimi, Ukraina është duke goditur linjat e furnizimit të Moskës në territorin rus.

Më herët, James Hippy tha se Londra i konsideron të pranueshme sulmet kundër “objektivave legjitime ushtarake” në Rusi nga Ukraina duke përdorur armët perëndimore.

“Së pari, objektivat zgjidhen nga pala ukrainase dhe jo nga ata që prodhojnë apo eksportojnë pajisje. Së dyti, është krejtësisht e ligjshme të zgjidhen objektiva ushtarakë të thellë pas linjave të armikut në mënyrë që të prishin rrugët e tij logjistike dhe furnizimin.”-tha ai.

Me të njëjtën logjikë, ai vuri në dukje se linjat e furnizimit ukrainas në Ukrainën perëndimore janë objektiva legjitime për Rusinë, me kusht që sulmet të mos kërcënojnë civilët.