Vendosni fjalën kyçe....

Richard Grenell: Administrata e Bidenit i vë sanksione Berishës, por jo dashnores së Putinit


Ish-diplomati i SHBA-ve, Richard Grenell ka bërë një koment ditën e sotme lidhur me sanksionet e DASH-it ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa sulmon administratën e presidentit amerikan Joe Biden se nuk ka vepruar njëlloj me sanksione për partneren e presidentit rus Vladimir Putinit për shkak të luftës në Ukrainë.

Grenell kritikon dhe mediet e vendit të tij të cilat i shikon si të falimentuara, për shkak se nuk raportojnë për këtë.

Sikurse vihet re në postimin e Grenellit, ai e njeh Berishën si kreun e partisë konservatore në Shqipëri, e cila është Partia Demokratike.

“Kush e hoqi dashnoren e Putinit nga lista e sanksioneve? Dhe a e vuri re Maggie Haberman e CNN-it?”- shkruan Grenell.

Më pas shton në një postim të dytë: “Administrata e Joe Biden ka nën sanksione kreun e partisë Konservatore në Shqipëri – por jo dashnoren e Putinit. Mediat amerikane janë të falimentuara.”

Ky reagim i Grenell-it vjen pas raportimeve në disa medie dhe në rrjetet sociale se emri i Alina Kabaeva-s ishte hequr nga lista e personave që do shpalleshin “non grata” në minutën e fundit, edhe pse Departamenti Amerikan i Thesarit kishte deklaruar më parë se po konsideronte vendosjen e sanksioneve ndaj saj lidhur me situatën në Ukrainë.