Vendosni fjalën kyçe....

Konsultimet për presidentin e ri/ Agron Duka: Me Alibeajn s’kam folur, opozita të përfaqësohet nga një grup i përbashkët


Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka folur sot për konsultimet e opozitës me maxhorancën në lidhje me presidentin e ri të vendit.

Gjatë një prononcimi për mediet, Duka tha se opozita duhet të përfaqësohet nga një grup përfaqësues, dhe jo pjesë pjesë. Për këtë arsye ai theksoi se katër aleatët e “Aleancës për Ndryshim” janë mbledhur për të diskutuar dhe kanë rënë dakord t’i bëjnë thirrje Partisë Demokratike për këtë.

Ai mes të tjerash theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikim me Enkelejd Alibeajn në lidhje me këtë temë.

“Aleanca për Ndryshim, ne katër aleatët kemi diskutuar përrreth një orë dhe vendosëm të bëjmë një thirrje publike të gjithë opozitës që të nxjerrim një grup përfaqësues sepse kështu na duket më serioze nëse oferta që vjen nga z.Rama dhe maxhoranca është gjithashtu serioze.

Nëse kjo vazhdon për me kriju një ide që marrim mendim e opozitës dhe shoqërisë civile e pastaj vendosim ne, nuk është e nevojshme të bëhen takime. Faktikisht duhet të marri fund kjo tallava që u shpik për herë të parë se këta i kanë votat vetë dhe nëse e marrin seriozisht që duan të zgjedhin me gjithë mend një president konsensual të ardhur nga shoqëria civile apo me një background politik, atëhere duhet bërë nje takim me një grup përfaqësuesish të opozitës.

Me Alibeajn jo s’kam folur, prandaj thashë që do i drejtohemi publikisht opozitës dhe pastaj të shohim më pas nëse kjo ide do ngjizet e do zërë vend. Një grup përfaqësuesish nga opozita të negociojë me maxhorancën.”- tha Duka.