Vendosni fjalën kyçe....

“Kërcënime për sulme ndaj avionëve serbë” – Ministria e Jashtme e Ukrainës akuzon Vuçiçin se po gënjen


Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka thënë se nuk janë të vërteta akuzat e bëra nga presidenti i Serbisë për përfshirjen e Ukrainës në kërcënimet për sulmimin e avionëve serbë.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Oleg Nikolenko.

“Deklaratat e tij (Aleksandar Vuçiçit) në lidhje me përfshirjen e supozuar të Ukrainës në kërcënimet me bomba ndaj transportuesve ajrorë serbë që fluturojnë në Rusi janë të rreme.”- tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme sipas Ukrinform.

Ai shprehu gjithashtu zhgënjimin që Serbia nuk i është bashkuar ende sanksioneve të BE-së të vendosura ndaj Rusisë për luftën që ajo filloi kundër Ukrainës. Nikolenko theksoi se Federata Ruse lëshon raketa dhe hedh bomba mbi qytetet e Ukrainës çdo ditë, duke vrarë civilë dhe duke shkatërruar infrastrukturën civile.

“Sanksionet e ashpra dhe uniteti i botës demokratike mund ta ndalojnë këtë luftë. Ne i bëjmë thirrje Beogradit që të ngrihet në mbrojtje të së vërtetës dhe të bashkohet plotësisht në mbështetjen e Ukrainës dhe ruajtjen e vlerave mbi të cilat është themeluar një Evropë e bashkuar demokratike.”- tha Nikolenko.

Kujtojmë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në një intervistë për TV Pink se vendi i tij do të vazhdojë të fluturojë drejt Rusisë, pavarësisht nga “kërcënimet për bombë” që janë bërë nga pala ukrainase.

Sipas Vuçiçit, dy vende qëndrojnë pas kërcënimeve të tilla: njëri është anëtar i BE-së dhe tjetri është Ukraina.