Vendosni fjalën kyçe....

Meta përsërit thirrjen për Kuvendin dhe Qeverinë: Reforma rrënjësore për ta shëndetësuar arsimin nga fiktiviteti dhe militantizmi partiak


Presidenti Ilir Meta ka përsëritur thirrjen që i drejtoi një ditë më parë Kuvendit dhe Qeverisë, gjatë një konference për mediet.

Meta ka publikuar një video nga deklarata e tij, ku i kërkon dy institucioneve të lartpërmendura të ndërmarrin reforma për të çliruar arsimin nga fiktiviteti dhe militantizmi.

“I bëj thirrje Kuvendit dhe Qeverisë për ndërmarrjen sa më parë të reformave rrënjësore për ta shëndetësuar arsimin nga fiktiviteti dhe militantizmi partiak.

Hapjen e sistemit dhe freskimin e tij me prurje cilësore pedagogjike dhe akademike, që do të jenë hartuesit dhe zbatuesit e reformave të vërteta dhe të besueshme, që do ta transformojnë këtë sektor.

Për ta nxjerrë atë nga koma, për ta rigjallëruar dhe futur në binarët konkurrues të tregut europian të dijes dhe të teknologjisë.

Vetëm me një arsim konkurrues dhe cilësor ne do t’u japim të rinjve tanë shpresë dhe siç thoshte Gëte, rrënjë për t’u fiksuar dhe krahë për të fluturuar, por jo jashtë Shqipërisë.”– thotë Meta.

 

Meta doli dje në një konferencë për mediat ku ka ngritur shqetësimin për largimin e të rinjve nga Shqipëria, për shkak të krizës në arsim.

Gjatë fjalës së tij, Meta e konsideroi krizën në arsim si “krizën më të rëndë ekzistenciale”.