Vendosni fjalën kyçe....

Edhe Trump si Biden, luftën e Rusisë kundër Ukrainës e quan “gjenocid”


Ish-presidenti Donald Trump iu bashkua presidentit aktual të SHBA-ve Joe Biden duke e quajtur luftën e Rusisë në Ukrainë një “gjenocid”.

Ndërsa Trump po kundërshtonte Bidenin për politikat që sipas tij kanë çuar në një inflacion të lartë rekord, ai tha: “Dhe tani shtojini kësaj atë çfarë po ndodh në Ukrainë. Ky është një gjenocid.”

Komenti vjen një ditë pasi Biden akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për gjenocid të martën.

“Buxheti juaj familjar, aftësia juaj për të mbushur rezervuarin tuaj, asnjëra prej tyre nuk duhet të varet nga fakti nëse një diktator shpall luftë dhe kryen gjenocid gjysmë bote larg.”- tha Biden.

Biden më vonë konfirmoi bindjen e tij se veprimet e Putinit përbëjnë gjenocid gjatë një shkëmbimi me gazetarët, por tha se avokatët e tij do të bënin përcaktimin përfundimtar.

Trump, i cili mburret për një marrëdhënie të ngushtë personale me Putinin, e kishte quajtur më parë pushtimin e Rusisë një “holokaust”.

Në intervistën për “Fox News” përsëriti pretendimin e tij se Putini nuk do të kishte pushtuar Ukrainën nëse do të ishte në detyrë.

Trump tha se SHBA-të kanë një arsenal bërthamor më të fuqishëm se Rusia dhe se “njerëzit nuk duhet të na shtyjnë”.