Vendosni fjalën kyçe....

NATO i përgjigjet planit të Finlandës për t’u bashkuar me aleancën: Do e presim ngrohtësisht


NATO ‘do e mirëpresë ngrohtësisht’ Finlandën nëse vendos të bashkohet me aleancën mes shqetësimeve për Rusinë dhe është e përgatitur të marrë një vendim për anëtarësimin ‘shumë shpejt’, tha të premten Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Duke folur për CNBC, Stoltenberg tha se vendimi i Helsinkit për të rishikuar politikën e tij të gjatë të mospërfshirjes është një ‘rezultat i drejtpërdrejtë i luftës në Ukrainë’, pasi vendi ‘ka një kufi shumë të gjatë me Rusinë’. Ai shtoi, megjithatë, se është plotësisht në dorën e finlandezëve të vendosin nëse duhet t’i bashkohen NATO-s apo jo.

“Ne do ta respektojmë vendimin pavarësisht se cili do të jetë përfundimi, por nëse Finlanda vendos të aplikojë për anëtarësim, kam besim se aleatët e NATO-s do t’i mirëpresin ata me ngrohtësi dhe ne mund të marrim shumë shpejt vendimin për t’i pasur ata si anëtarë të aleancë.” – tha ai.

Vërejtjet e Stoltenberg erdhën një ditë pasi ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto vizitoi Brukselin për bisedime me homologët e tij nga vendet e NATO-s. Duke folur për gazetën ‘Iltalehti’, Haavisto zbuloi se ministrat eJjashtëm e pyetën nëse Finlanda dhe ndoshta Suedia do të dorëzonin aplikime për anëtarësim përpara samitit të NATO-s në qershor në Madrid.

Në një konferencë për shtyp, Haavisto, i cili më herët shprehu shqetësime për një hakmarrje të mundshme nga Rusia, tha se vendet e NATO-s kanë qenë ‘shumë aktive’ duke i ofruar Helsinkit ‘ndihmë diplomatike dhe sigurie’ për periudhën e procesit të aplikimit.

Sondazhet e fundit si në Finlandë ashtu edhe në Suedi tregojnë se konflikti në Ukrainë ka ndryshuar në mënyrë dramatike opinionin publik nga vitet e mëparshme, me më shumë se 60% të të anketuarve që tani mbështesin idenë e anëtarësimit në NATO.