Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Serbi/ Politikani shqiptar kërkon përsëritjen e votimeve në Luginën e Preshevës


Politikani shqiptar në Luginë të Preshevës, Shaip Kamberi, kërkon përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, komunat në jug të Serbisë, që njihen me termin Lugina e Preshevës.

Përmes një postimi në Facebook, Kamberi tha se këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve. Sipas tij, kjo për shkak të pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Kamberi thotë se shumë shqiptarëve iu është pamundësuar e drejta për të votuar dhe se kjo e bën procesin zgjedhor jodemokratik.

Për këtë arsye ai kërkon përsëritjen e zgjedhjeve.

“Prandaj zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës.”- shkruan Kamberi.

Sipas rezultateve paraprake, në zgjedhjet presidenciale ka fituar presidenti aktual, Aleksandar Vuçiç, si dhe në ato parlamentare ka fituar partia e tij, Partia Përparimtare Serbe.

REAGIMI I PLOTË

Qytetarë të nderuar,

“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” i përbërë nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9644 përkundër vështirësive të shumta me të cilat u përball në këtë proces zgjedhor.

Zgjedhjet e fundit në Serbi të datës 3 prill u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë.

Pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve që rezultoi me shlyerjen e tyre nga listat zgjedhore deligjitimoi procesin zgjedhor, sidomos në Luginën e Preshevës.

Shumë shqiptarëve i është pamundësuar e drejta elementare. E drejta për të votuar. Kjo e bënë procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira.

Prandaj zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës.

Me këtë rast, dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët për kulturën e lartë politike që kanë shpërfaqur gjatë këtyre zgjedhjeve.

Përulje për të gjithë aktivistët në radhë të parë të Partisë për Veprim Demokratik dhe të partnerëve tanë politik – Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, që nuk kursyen asgjë prej tyre, gjatë kësaj fushate që më mbështeten pa rezervë.

Megjithë votat e marra ato akoma nuk janë garancë për të fituar një mandat.