Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania do dëbojë 40 diplomatë rusë


Gjermania raportohet se ka shpallur 40 diplomatë rusë ‘non grata’. Ata kanë pesë ditë kohë për t’u larguar nga vendi.

Berlini ka vendosur të shpallë ‘një numër të konsiderueshëm anëtarësh të ambasadës ruse persona të padëshiruar që kanë punuar çdo ditë këtu në Gjermani kundër lirisë sonë, kundër kohezionit të shoqërisë sonë’, tha të hënën ministrja e Jashtme Annalena Baerbock.

“Ne nuk do ta tolerojmë këtë më tej.” – shtoi ajo.

Nëse diplomatët shpallen persona të padëshiruar, do të thotë dëbim. Vendimi iu komunikua ambasadorit rus Sergej Netschayev pasdite, njoftoi Baerbock. Personeli ka pesë ditë kohë për t’u larguar nga Gjermania.

Sipas raportimeve të mediave lokale, punonjësit e shërbimit të jashtëm rus dyshohet se punonin për shërbimet e inteligjencës së Moskës. Mediat gjermane thanë se rreth 40 diplomatë rusë do të largohen nga vendi.

“Fotografitë nga Bucha dëshmojnë për brutalitetin e jashtëzakonshëm të udhëheqjes ruse dhe atyre që ndjekin propagandën e saj.” – tha Baerbock ndërsa shpjegoi vendimin. Pas tërheqjes së trupave ruse nga Bucha, qindra civilë të vrarë u zbuluan në atë periferi të Kievit.

Ukraina fajëson për masakrën trupat ruse, të cilat kishin pushtuar qytetin e vogël deri vonë, por Moska e mohon këtë.