Vendosni fjalën kyçe....

Sllovakia pranon të paguajë gazin rus në rubla


Sllovakia do e paguajë gazin natyror rus në rubla nëse kjo është ajo që duhet për të mbajtur qarkullimin e mallit, tha në televizionin kombëtar ministri sllovak i Ekonomisë, Richard Sulik.

“Nëse ka një kusht për të paguar në rubla, atëherë ne do të paguajmë në rubla,” tha Sulik. Ai theksoi se importet ruse përbëjnë afërsisht 85% të të gjitha furnizimeve sllovake të gazit, kështu që autoritetet e vendit do të mbeten pragmatike për këtë çështje.

“Ne nuk mund të jemi të shkëputur nga gazi,” theksoi Sulik, duke i kërkuar pjesës tjetër të Evropës që së bashku të kërkojnë një zgjidhje.

Pothuajse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, anëtare e të cilit është Sllovakia, goditën Rusinë me sanksione ekonomike gjatë muajit të kaluar, duke rrezikuar aftësinë e Rusisë për të marrë pagesa nga partnerët tregtarë në monedhën evropiane. Në përgjigje, presidenti rus Vladimir Putin javën e kaluar nënshkroi një dekret për futjen e një mekanizmi të ri pagesash për rubla.

Edhe pse nga disa shihet si në kundërshtim me kontratat ekzistuese të gazit, mekanizmi nuk nënkupton ndryshim të monedhës së pagesës. Ai u mundëson blerësve të hapin llogari në rubla me Gazprombank ruse për të lehtësuar transferimin e pagesave të kompanive evropiane te furnitorët rusë.

Sipas sekretarit të shtypit të Putinit, Dmitry Peskov, ‘de facto asgjë nuk do të ndryshojë për kompanitë evropiane…Ata do të paguajnë, si dikur, në euro, të njëjtën monedhë që tregohet në kontrata’, por shitësi, eksportuesi kryesor rus i gazit Gazprom, do të jetë në gjendje të marrë fondet në monedhën kombëtare të Rusisë.

Ministri sllovak i Ekonomisë, së bashku me një numër politikanësh të tjerë evropianë, tha se situata kërkon diversifikim të furnizuesve. Por ai tha se kjo mund të marrë vite, ndërsa Sllovakia ka vetëm dy muaj për të zgjidhur problemin me blerjet e gazit.