Vendosni fjalën kyçe....

Biden përsërit deklaratat për presidentin rus: Putini është kriminel lufte dhe duhet të nxirret në gjyq


Presidenti amerikan Biden e ka etiketuar përsëri homologun e tij rus Vladimir Putinin si kriminel lufte dhe ka bërë thirrje që ai të përballet me gjykatën për vrasjet në Bucha.

 “Ju mund të mbani mend që u kritikova që e quajta Putinin kriminel lufte. E vërteta e çështjes është se ju e keni parë atë që ndodhi në Bucha. Kjo e garanton atë – ai është një kriminel lufte.

Por ne duhet të mbledhim informacione. Ne duhet të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës armët që i nevojiten për të vazhduar luftën dhe duhet të marrim të gjitha detajet në mënyrë që kjo të jetë reale – të ketë një gjyq për krimet e luftës. Ky djalë është brutal dhe ajo që po ndodh në Bucha është e egër dhe të gjithë e kanë parë atë.”– u tha Biden gazetarëve sipas CNN.

I pyetur nëse krimet e kryera në Bucha e përcaktojnë situatën si një gjenocid, Biden u tha gazetarëve: “Jo. Unë mendoj se është një krim lufte”.

Biden thotë se ai kërkon gjithashtu më shumë sanksione kundër Rusisë për mizoritë e kryera në Ukrainë, të cilat Moska i mohon.

Kujtojmë se presidenti amerikan shkaktoi zemërim në Moskë muajin e kaluar, kur akuzoi për herë të parë Putinin për krime lufte.

Siç kanë raportuar mediet ukrainase dhe ato perëndimore, trupat e dhjetëra civilëve janë gjetur të shpërndarë në rrugë atje. Po ashtu u zbuluan në bodrumin e një shtëpie pesë trupa – burra me duar të lidhura që dukej se ishin qëlluar për vdekje.