Vendosni fjalën kyçe....

Regjistrat e dëmtuar në Kadastrën e Durrësit, Prokuroria nis hetimet


Artan Lame, kreu i Përgjithshëm i Kadastrës

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për të zbuluar çfarë ka ndodhur në Kadastrën e këtij qyteti, pasi regjistrat e pasurive të paluajtshme janë gjetur të dëmtuara.

“Nisur faktet e bëra publike në media për kontrollin e ushtruar në Kadastrën e Durrësit dhe konstatimin e dëmtimeve në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 582, datë 01.04.2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 186 e 248 te Kodit Penal.

Me urdhër të drejtueses së prokurorisë është krijuar një grup hetimor i përbërë nga prokurore dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes.”– thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kujtojmë se pak ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lajme tha se sipas një raporti, nga të gjitha dosjet e marra nga kjo kadastër vetëm 15 % e tyre janë pa probleme, ndërsa pjesa tjetër e regjistrave janë me faqe që mungojnë, të grisura madje edhe shumë të dubluara që tregojnë se për një pasuri janë ndjekur dy rrugë të ndryshme legalizimi apo kthimi te pronari duke sjellë abuzime shumë të mëdha.