Vendosni fjalën kyçe....

E pamundur për Austrinë të ndalojë gazin rus – Gjiganti energjetik


Austria nuk është në gjendje të ndalojë blerjen e gazit natyror rus këtë vit, tha kreu i gjigantit energjetik OMV, Alfred Stern, në përgjigje të thirrjeve që shtetet evropiane të vendosin një embargo ndaj furnizimeve ruse.

“Embargoja ndaj gazit rus është e pamundur nëse nuk jemi gati të pranojmë pasojat e tmerrshme. Disa vende mund ta bëjnë këtë, por për Austrinë nuk është e mundur këtë vit. Heqja graduale e gazit rus ka një çmim”, tha ai në një intervistë për Die Presse.

Stern shpjegoi se ndryshe nga disa vende të BE-së, Austria ‘është në një pozitë të vështirë’ kur bëhet fjalë për burimet alternative të energjisë, duke qenë se nuk ka ‘qasje në det, nuk ka qasje në gazin e lëngshëm’.

Stern nuk është i vetëm në pikëpamjet e tij në lidhje me varësinë e Austrisë nga energjia ruse. Kancelari austriak Karl Nehammer tha në fillim të kësaj jave se ai nuk mbështet asnjë kufizim në furnizimin me naftë dhe gaz nga Rusia në Evropë.

“Nga ne duhet të ketë një refuzim të qartë të çdo ideje për ndalimin e importit të gazit rus ose naftës ruse,” tha Nehammer në një intervistë për OE24 TV.

Aktualisht, objektet e depozitimit të gazit në Austri janë plot vetëm 13%, raportojnë mediat, duke cituar burime nga industria.