Vendosni fjalën kyçe....

Trump i kërkon Putinit të zbulojë të gjitha informacionet që ka mbi Hunter Bidenin


Në një intervistë të re të publikuar këtë të martë, ish-presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje homologut të tij rus Vladimir Putin të publikojë çdo informacion të dëmshëm që ai ka për familjen e Joe Bidenit. Më saktë fjala është për djalin e tij, Hunter Bidenin.

Në një intervistë me emisionin televiziv “Just the News” në “Real America’s Voice”, ish-presidenti citoi një raport të Senatit të vitit 2020 që zbulonte se oligarkja ruse Yelena Baturina, në atë kohë gruaja e kryebashkiakut të Moskës, i dha 3.5 milionë dollarë një dekadë më parë një kompanie të bashkë-themeluar nga djali i Joe Bidenit.

“Ajo i dha atij 3.5 milionë dollarë, kështu që tani mendoj se Putini do ta dinte përgjigjen për këtë. Mendoj se ai duhet ta zbulojë atë.”– tha Trump. “Unë mendoj se ne duhet ta dimë këtë përgjigje.”

CNN shkruan se është e vërtetë që Hunter Biden paguhej shumë për punën këshilluese që bënte në vendet e huaja, duke përfshirë Ukrainën dhe Kinën, në kohën që babai i tij, presidenti Joe Biden, ishte zëvendëspresident. Departamenti i Drejtësisë ka një hetim penal të vazhdueshëm për këto marrëdhënie dhe krime të mundshme financiare. Juria në Delaware ka hetuar marrëdhëniet e biznesit të Hunter Biden për shkelje të mundshme tatimore, çështje të lobimit të huaj dhe pastrim parash. Hunter Biden e ka pranuar hetimin, por ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Trump tha se do të dëshironte gjithashtu të dinte më shumë për marrëdhëniet e Hunter Bidenit me oligarkun ukrainas Nikolai Zlochevsky, pronar i kompanisë së gazit Burisma Holdings që punësoi pasardhësit e Bidenit në 2014 në bordin e saj dhe i paguante atij qindra mijëra dollarë në vit.

Në atë kohë, Departamenti i Shtetit e konsideroi Burisma si një kompani të korruptuar që u jepte ryshfet zyrtarëve ukrainas dhe e shihte marrëdhënien e Hunter Biden si të krijonte pamjen e një konflikti interesi, sepse babai i tij, atëherë nënpresidenti Joe Biden, mbikëqyrte politikën SHBA-Ukrainë.