Vendosni fjalën kyçe....

Hungaria shprehet kundër sanksioneve që ndalojnë krejtësisht importin e naftës e gazit rus


Kryediplomati i Hungarisë tha se vendi i tij nuk do të mbështesë sanksione të reja ekonomike ndaj firmave ruse të energjisë, duke argumentuar se masa mund të rezultojë e kundërt dhe paralajmëroi se propozimet e zonës së ndalim-fluturimit për Ukrainën rrezikojnë të shkaktojnë një konflikt më të madh rajonal.

Duke folur për gazetarët pas një takimi me anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian në Bruksel, ministri i jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se Budapesti nuk ka gjasa të mbështesë dënimet që synojnë gazin dhe naftën ruse, pasi ato mund të dëmtojnë interesat e veta.

“Një marrëveshje për sanksionet e mundshme të BE-së kundër furnizimeve ruse me energji ose ndërprerja e tyre me shumë mundësi nuk do të arrihet,” tha ai, duke shtuar se “Ne nuk do të mbështesim asnjë sanksion që mund të përbëjë rrezik për furnizimet me energji për Hungarinë”.

“Disa vende janë të varura nga furnizimet ruse me energji. Ne nuk e bëjmë këtë për argëtim. Furnizimi me energji nuk është një çështje filozofike apo ideologjike, por një çështje fizike, matematikore.” – theksoi ai.

“Çështja e një embargoje nafte nuk është çështje nëse duam apo nuk duam atë, por pyetje se sa varemi nga nafta”, u tha gazetarëve ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, duke vënë në dukje se disa shtete të BE-së nuk mund të ‘ndalojnë importet e naftës sot për nesër’.