Vendosni fjalën kyçe....

Serbia i kërkon Bullgarisë të mos e bllokojë tranzitin e gazit rus


Presidenti serb Vuçiç i ka kërkuar Bullgarisë fqinje që të mos ndalojë rrjedhën e gazit rus përmes gazsjellësit ‘TurkStream’. Sofja tha se nuk do e rinovojë kontratën me Moskën teksa kjo e fundit ka nisur një sulm ndaj Ukrainës që prej 24 shkurtit.

“Për ne është e rëndësishme që Bullgaria të mos ndërpresë funksionimin e gazsjellësit”, tha Vuçiç duke shtuar se vendi i tij po paguan për tranzitin.

“Ne po themi se duam gazin rus nga gazsjellësi TurkStream, ne po paguajmë për të. Çfarë bëni ju është puna juaj.”

Presidenti shtoi se ai nuk ishte i sigurt se do të ishte ‘aq e lehtë’ për Bullgarinë të ndalonte importet e gazit nga Rusia.

Vuçiç tha më parë se mbyllja e tubacionit do ishte ‘një fatkeqësi e plotë’. Zëvendëskryeministri bullgar Assen Vasilev tha të shtunën se vendi nuk do e rinovojë kontratën e tij të gazit me Moskën.

“Gjatë javëve të ardhshme do të ketë diskutime në nivel evropian, për një kontratë të përbashkët gazi për të gjithë Bashkimin Evropian. Ne presim që ky mekanizëm të fillojë të funksionojë në verë”, tha Vassilev, duke shtuar se ka alternativa të tjerë për gaz përveç Gazprom.

Bullgaria filloi të marrë gaz nga Azerbajxhani në vitin 2021. Ivan Topchiyski, kryetar i bordit të drejtorëve të ‘Bulgargaz’, tha se Sofja ishte në bisedime për të rritur furnizimet nga Bakuja.

Shumë vende, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, vendet anëtare të BE-së dhe Kanadanë, vendosën sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë pas sulmit të saj ndaj Ukrainës më 24 shkurt.