Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra pula të ngordhura në Durrës, ISUV: Kemi një javë që kërkojmë një vend për t’i groposur


Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) ka dalë me një deklaratë për mediet lidhur me situatën e ngordhjes së mijëra shpendëve në pularitë e Durrësit.

Zëvendës ministrja e Bujqësisë Ermira Gjeci, tha se ISUV ka qenë në monitorim që prej datës 7 mars deri më 17 mars, kur dhe janë zbuluar rastet e para me gripin e shpendëve.

“Nga data 7 deri në datën 17 mars, Shërbimi Veterinar Zyrtar i ministrisë së Bujqësisë ka qenë në ndjekje të të gjithë situatës. Në këto data rezultat e ISUV në bazë të mostrave kanë rezultuar pozitive për laringo trakeit, në datën 19 mars janë marrë mostra të reja nga një subjekt, kanë qenë 18 mostra dhe në në orët e pasdites është konfirmuar prezenca e gripit të shpendëve.

 Veterinerët zyrtarë janë në terren, kanë karantinuar zonën e cila ka rezultuar pozitive. Protokolli parashikon që në rrezen prej 3 kilometrash quhet vatra e infeksionit e cila karantinohet dhe në rrezen prej 10 kilometrash është zona e cila monitorohet.

Janë vënë nën monitorim fermat e kësaj zone të cilat gjurmohen dhe dërgohen për analizim.

Për sa i përket zonës së karantinës, veza është e izoluar, AKU ka marrë masat për këto produkte, por kjo sëmundje nuk shkakton problematika te produktet dhe nënproduktet e shpendëve në shëndetin e njerëzve. Mjafton të merren masat e duhura siç është gatimi i produkteve dhe nënprodukteve në 70 gradë.”– deklaroi ajo.

Sipas Gjecit, nuk ka vend për panik për ata që konsumojnë produkte”.

Specialistet këshillojnë që të shmangen blerjet në rrugë, por vetëm në pikat e shitjes.

Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, Tana Kika ka pranuar në konferencën për mediet se groposja e pulave është vonuar për shkak të mosgjetjes së një vendi të përshtatshëm.

 “Kemi dërguar kërkesën në datën 7 Mars. Vendi përcaktohet nga pushteti vendor. Aktualisht është arritur dakordësia dhe do të fillojë largimi i tyre. Kemi bërë kërkesa pafund. Kemi një javë që përpiqemi të gjejmë një vend ku do të groposen kafshët e ngordhura. Në datën 19 Mars u ndryshua kuadri laboratorik ndryshuan gjithë kuadrin e procedurave. Zbatuam planin e emergjencës për këto sëmundje.– tha ajo.

Gjeçi shtoi: “Ligji jonë parashikon të dyja metodat: edhe groposjen, edhe metodën e djegies. Por në proces nuk është vetëm Ministria e Mjedisit por edhe institucionet e tjera. Duhet që gjithsecili duhet të shprehet në bazë të legjislacionit për të gjetur vendin e duhur. Duhet të shprehen edhe njësitë vendore. Ne sot e kemi gjetur vendin dhe shumë shpejt fillon procesi. Ne kemi ndërhyrë në komunikim me mediat. Do iu vëmë në komunikim për vendin sapo të kemi konfirmimin zyrtar.”