Vendosni fjalën kyçe....

“Marrëdhëniet tona në prag të ndërprerjes” – Rusia paralajmëron SHBA-të pas fjalëve të Bidenit për Putinin


Këtë të hënë, Ministria e Jashtme ruse thirri ambasadorin e SHBA-së në Moskë John Sullivan, të cilit iu dorëzua një notë proteste në lidhje me deklaratat e fundit të presidentit amerikan Joe Biden drejtuar Presidentit rus Vladimir Putin. Biden e quante këtë të fundit “vrasës” dhe “kriminel lufte”.

“John Sullivan u demarkua dhe iu dorëzua një notë proteste në lidhje me deklaratat e fundit të papranueshme të bëra nga kreu i Shtëpisë së Bardhë Joe Biden drejtuar Presidentit të Rusisë.”– thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse, citon TASS.

“U theksua se deklarata të tilla të presidentit amerikan, të padenja për një burrë shteti të një shkalle kaq të lartë, i vendosën marrëdhëniet ruso-amerikane në prag të prishjes. U paralajmërua se veprimet armiqësore të ndërmarra kundër Rusisë do të merrnin një kundërshtim vendimtar dhe të fortë.”– tha ministria ruse.

Përveç kësaj, siç theksohet nga Ministria e Jashtme ruse, gjatë diskutimit të çështjeve aktuale dypalëshe, ambasadorit amerikan “iu shtrua në mënyrë akute çështja e sigurimit të kushteve normale të punës për misionet diplomatike ruse në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë garancitë për funksionimin e tyre të pandërprerë“.

Kujtojmë se më 17 mars, Biden sulmoi dhe ofendoi personalisht homologun e tij rus, duke e quajtur atë “një diktator gjakatar dhe një bandit që bën një luftë imorale kundër popullit të Ukrainës”.

Një ditë më parë, në përgjigje të një pyetjeje nga një gazetar, presidenti amerikan tha se e konsideronte Putinin një “kriminel lufte”. Siç tha për TASS sekretari i Putinit për shtypin, Dmitry Peskov, këto deklarata të Bidenit janë retorikë e papranueshme dhe e pafalshme.