Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada e Rusisë: Sa lekë kërkoi zoti Berisha që as Gazpromi nuk mundi t’i mbledhë dot?


Ambasada e Rusisë në Tiranë ka reaguar lidhur me deklaratat e djeshme të ish-kryeministrit Sali Berisha se i ishin ofruar shuma të mëdha parash nga Gazpromi rus.

“U habitëm nga fjalët e Sali Berishës se 10 vjet më parë ai refuzoi rryshfetin gjoja të propozuar nga Gazprom për zhvillimin e projekteve energjetike në Shqipëri. Na lind natyrshëm pyetja: sa kërkoi zoti Berisha që as Gazpromi nuk mundi t’i mbledhë dot ato ‘shuma përrallore’?”– thuhet në reagimin ironik të Ambasadës së Rusisë.

Deklarata u shpërnda në grupin e Ambasadës Ruse në Tiranë në kanalin “Telegram”.

Ky reagim vjen pasi ish-kryeministri Berisha tha ditën e djeshme se i janë ofruar shuma të mëdha parash nga gazsjellësi rus Gazprom për të kundërshtuar gazsjellësin TAP.

Ai e bëri deklaratën jashtë sallës së Parlamentit, ku iu drejtua ‘atyre që shpallën non grata, mafies së Xhoxsh Sorosit’ se i ka kundërshtuar shumat përrallore që i janë ofruar për të mbojtur interesin e vendit dhe të Bashkimit Europian.

“Një mesazh për ata që shpallën Sali Berishën ‘non grata’. I them mafies së Xhorxh Sorosit, se vetëm për TAP-in, Sali Berishës i janë propozuar shumat më përrrallore që mund t’i imagjinojë kush. Por ai qëndroi në mbrojtje të interesave të vendit të tij dhe interesave të Bashkimit Evropian, pasi isha i bindur se një dar gazi nga veriu dhe jugu ishte gjëja më e keqe për Shqipërinë dhe Evropën. Më janë ofruar nga Gazprom. TAP ka transportuar sot sasinë e parë të gazit drejt Italisë.” – shprehej Berisha.

Ai shtoi më tej se gazsjellësi TAP është një arritje e madhe për Europën dhe Shqipërinë dhe se qeveria e drejtuar prej tij ka luajtur një rol përcaktues për projektin, pas Azerbajxhanit./Hashtag.al