Vendosni fjalën kyçe....

“Plan me 15 pika për një armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë” – Kremlini as e pohon, as nuk e hedh poshtë artikullin e “Financial Times”


Financial Times” raporton se Ukraina dhe Rusia kanë bërë një përparim të rëndësishëm drejt paqes me një plan 15-pikësh, ku përfshihet një armëpushim dhe tërheqje e trupave ruse, nëse Kievi deklaron neutralitetin dhe pranon kufizime për forcat e tij të armatosura.

Sipas gazetës, kjo është konfirmuar nga tre negociatorë.

Marrëveshja e propozuar, të cilën negociatorët ukrainas dhe rusë e diskutuan plotësisht për herë të parë të hënën, do të përfshinte heqjen dorë nga ambiciet e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n dhe premtimin për të mos strehuar baza ushtarake të huaja ose armatime në këmbim të mbrojtjes nga aleatët si SHBA, Britania e Madhe dhe Turqia.

Por Kremlini as e konfirmon dhe as e mohon raportin e FT-së. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov sipas RT-së, tha se është shumë herët për të dhënë një deklaratë të fortë mbi raportin e Financial Times.

Më herët ditën e sotme, Peskov u tha gazetarëve se neutraliteti për Ukrainën bazuar në statusin e Austrisë ose Suedisë ishte një mundësi.

“Ky opsion po diskutohet me të vërtetë tani dhe është një opsion që mund të konsiderohet neutral.”-tha Peskov. Një opsion që më vonë u bë e ditur se u refuzua nga Ukraina.

Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, tha se “formulimet absolutisht specifike” ishin “afër arritjes së marrëveshjes” në negociata.