Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me raketa në Donetsk, raportohet për shumë viktima


Imazhet dhe videot nga qyteti Donetsk në Ukrainën lindore të shpërndara në rrjet të hënën në mëngjes tregojnë viktima të shumta nga ajo që duket të ketë qenë një sulm me raketa në qytet.

Qyteti i Donetsk mbahet nga forcat separatiste të mbështetura nga Rusia dhe është kryeqyteti i të ashtuquajturës Republika Popullore e Donetskut (DPR).

Videot tregojnë se ka pasur të paktën disa viktima në një rrugë kryesore në qendër të qytetit si dhe një numër të madh të plagosurish. Pamjet janë të rënda.


Në vendngjarje shihen mbetje të raketës. Nga ka ardhur dhe kush e ka gjuajtur është ende e paqartë, shkruan CNN.

“Për momentin, ne mund të flasim për numrin më të madh të viktimave civile si rezultat i një sulmi të vetëm.”- tha kreu i DPR-së, Denis Pushilin, për televizionin rus, citon CNN.

“Rreth 20 njerëz vdiqën, por numri është duke u përditësuar.”– tha ai për Rusinë 24, duke e quajtur atë një “krim lufte”.

Një agjenci lokale e lajmeve citoi Shtabin e Mbrojtjes Territoriale të DPR të jepte të njëjtën shifër.

Milicia Popullore e DPR-së akuzoi palën ukrainase për lëshimin e raketës, duke thënë: “Formacionet e armatosura ukrainase përdorën edhe një herë sistemin taktik të raketave ‘Tochka-U’ në zonat e banuara të Donetsk, me qëllim që të shkaktojnë gjenocid për civilë dhe shkatërrojnë infrastrukturën e rëndësishme civile në kryeqytetin e Republikës”.

Pushilin i tha veçmas rrjetit televiziv shtetëror rus Russia-1, “Ne arritëm të rrëzonim sistemin taktik të raketave Tochka-U, por edhe rrënojat shkaktuan aq shumë dëme”.

“Më e keqja është humbja e jetëve të civilëve. Njerëzit qëndronin në radhë për bankomatin, në stacionin e autobusit.”– shtoi ai.

Më vete, ministria e shëndetësisë e DPR-së raportoi për 23 të plagosur të shtruar në spital.