Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se vodhën në disa qytete, arrestohen dy persona


Policia e Kavajës ka arrestuar dy persona të dyshuar për një sërë vjedhjesh në Kavajë, Tiranë, Krujë, Kukës e Pukë.

Shtetasit B. D, 33 vjeç, banues në Thumanë Krujë dhe S. V., 28 vjeç, banues në Tiranë dyshohet se kanë kërcënuar me armës administratorin e lokalit për të mos kallëzuar krimin si dhe vodhën celularët e katër klientëve.

Këta shtetas kanë vjedhur në një banesë në Kavajë në një lokal në Golem si dhe kanë vjedhur televizorë e sende të tjera.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shtegtarët”.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Kavajë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes, vjedhjes me dhunë e armë.

Kërcënuan me armë administratorin e lokalit për të mos kallëzuar krimin dhe vodhën nën kërcënimin e armës celularët e katër klientëve në lokal, kapen e vihen në pranga dy autorët e dyshuar.

Njëri prej tyre me precedent të theksuar kriminal, në fushën e armëmbajtjes pa leje, të vjedhjes, mashtrimit dhe kanosjes.

Zbardhen edhe disa vjedhje të tjera të ndodhura më parë nga këta shtetas.

Të dy shtetasit e arrestuar, të dyshuar për një sërë vjedhjesh të ndodhura në Kavajë, Tiranë, Krujë, Kukës e Pukë.

Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov, sasi municioni luftarak dhe një shumë e konsiderueshme parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve me armë e dhunë, dhe vjedhjeve të thjeshta të ndodhura më parë, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shtegtarët”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

– B. D, 33 vjeç, banues në Thumanë Krujë dhe S. V., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Këta shtetas, në një lokal në Golem, kanë vjedhur televizorë e sende të tjera, dhe pas disa ditësh, kanë shkuar përsëri në lokal dhe kanë kanosur me armë zjarri administratorin e lokalit, për të mos kallëzuar. Gjithashtu nën kërcënimin e armës, me qëllim që klientët të mos tregonin e të mos njoftonin Policinë, u kanë marrë 4 klientëve, aparatet celulare dhe janë larguar.

Po këta shtetas kanë vjedhur në një banesë në Kavajë, si dhe kanë tjetërsuar duke i çuar për pjesë këmbimi në Kukës, disa automjete të marra me qira.

Njëkohësisht, dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh në disa qytete të vendit, ku vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë në disa qytete të vendit, për dokumentimin e tyre.