Vendosni fjalën kyçe....

“Pse afganët nuk përmenden, apo se nuk janë evropianë si ukrainasit?!” – Eurodeputetja akuzon Perëndimin për hipokrizi (VIDEO)


Clare Daly, anëtare e Parlamentit Evropian, e ka akuzuar Perëndimin për hipokrizi. Në një fjalim në Parlamentin Evropian, Daly e krahasoi krizën në Afganistan me Ukrainën. Ajo tha se kriza në Afganistan nuk ka marrë të njëjtin mbulim mediatik dhe as të njëjtin trajtim nga politika apo Parlamenti Evropian.

Deputetja irlandeze tha se luftërat janë të liga njëlloj dhe të gjithë viktimat meritojnë mbështetje.

“Nuk ka dyshim për këtë. Ne po jetojmë në një kohë krizë katastrofike, ku jetët e civilëve të pafajshëm sakrifikohen në luftërat e zotërinjve të tyre. Po në Ukrainë, por jo vetëm. Që nga seanca e fundit plenare, dhjetëra mijëra qytetarë afganë janë detyruar të ikin në kërkim të ushqimit dhe sigurisë. Pesë milionë fëmijë përballen me zi buke, një vdekje të dhimbshme, një rritje 500% të martesave të fëmijëve dhe shitje të fëmijëve që të mund të mbijetojnë. Dhe as një përmendje për këtë. As këtu, as askund. Asnjë mbulim televiziv, asnjë përgjigje humanitare emergjente, asnjë seancë plenare të posaçme, as edhe një përmendje në këtë seancë plenare. Asnjë delegacion afgan dhe asnjë deklaratë.

Zoti im! Ata duhet të pyesin veten se çfarë e bën krizën e tyre humanitare kaq të parëndësishme. A është ngjyra e lëkurës së tyre? A është se ata nuk janë të bardhë? A është se ata nuk janë evropianë? Se problemet e tyre vijnë nga një armë amerikane, apo një pushtim amerikan? A është ky një vendim për të grabitur pasurinë e vendit të tyre nga një president despotik i SHBA-së dhe jo nga ai rus? Sepse Zoti im, të gjitha luftërat janë të liga dhe të gjitha viktimat meritojnë mbështetje dhe derisa të arrijmë në atë faqe, ne nuk kemi asnjë besueshmëri.”– deklaroi eurodeputetja irlandeze.