Vendosni fjalën kyçe....

Ministri rus i mbrojtjes i raporton Putinit për operacionin në Ukrainë: Gjithçka po shkon sipas planit


Ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu ka thënë se pushtimi në Ukrainë po kryhet me sukses, pavarësisht pretendimeve të liderëve perëndimorë se ushtria ruse ka hasur në pengesa dhe rezistencë të paplanifikuar.

“Gjithçka po shkon sipas planit, ne ju raportojmë këtu çdo ditë këtë javë.”- i tha Shoigu presidentit rus Vladimir Putin në një takim të Këshillit të Sigurimit të transmetuar në televizion të premten, citonCNN.

Shoigu pohoi gjithashtu se ushtria ruse ka marrë mbi 16 mijë aplikime nga vullnetarë në Lindjen e Mesme që duan t’i bashkohen luftës në Ukrainë.

“Ne marrim një numër të madh aplikimesh nga të gjitha llojet e vullnetarëve nga vende të ndryshme, të cilët dëshirojnë të vijnë në Republikat Popullore të Luhanskut dhe Donetskut për të marrë pjesë në atë që ata e konsiderojnë si lëvizje çlirimtare.”- tha Shoigu.

Ministri i Mbrojtjes gjithashtu i kërkoi Putinit më shumë armë për të armatosur rajonet separatiste të Donbasit; në veçanti, sistemet e mbrojtjes ajrore, duke përfshirë MANPADS, së bashku me lëshuesit e lehtë të raketave antitank.

Shoigu shtoi: “Ne kemi grumbulluar një numër të madh armësh ukrainase: tanke, automjete të blinduara dhe të gjitha llojet e armëve të vogla, mjaft artileri.

Përveç kësaj, ka shumë komplekse Javelin dhe Stinger. Propozohet gjithashtu që kjo të transferohet në republikat e Luhanskut dhe Donetskut, te milicia, në mënyrë që ata të mund të kryejnë në mënyrë më efektive mbrojtjen e republikave të tyre.”

Putini mbështeti të dy sugjerimet duke thënë se Rusia duhet të ndihmojë vullnetarët që dëshirojnë të luftojnë në Donbas që të transferohen në vijat e frontit.

“Nëse shihni se ka njerëz që duan në baza vullnetare, veçanërisht jo për para, të vijnë dhe të ndihmojnë njerëzit që jetojnë në Donbas, mirë, ne duhet t’i mirëpresim dhe t’i ndihmojmë të lëvizin në zonën e luftës.”– tha Putin.