Vendosni fjalën kyçe....

Për një parti ndryshe


Nga Dritan Kaba

Reformimi i PD-së nga një parti e sistemit evropian në atë amerikan do shpëtonte të djathtën dhe shqiptarët.

Një parti ku kryetari është menaxher i partisë. Merret me organizimin e Partisë. Të zgjedhjeve primare për përfaqësim si lokal, ashtu edhe atë kombëtar.

Një organizim i cili bashkon të gjithë spektrin politik, edhe atë të papërfaqësuar deri më sot. Secila lëvizje brenda partisë të ketë qëllimet, vlerat dhe aspiratat që përfaqëson. Në bazë të votave në primare ka edhe përfaqësimin politik në garat elektorale.

Përfaqësuesit e lëvizjeve shprehen dhe kanë të drejtë të bëjnë fushatë dhe takime gjatë gjithë periudhës së vitit me anëtarësinë dhe mbështetësit e së djathtës. Jo fraksione por lëvizje që gjenerojnë energji tek partia. Lista të hapura për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të vitit që vjen.

Diversifikim idesh dhe përfaqësimi. Organet e partisë janë thjesht organizative dhe konsulente si një lloj arbitri të levizjeve ose rrymave brenda partisë.

Vota, morali, idetë, vlerat, principet të jenë ato që përfaqësojnë rrymat dhe anëtarësia si dhe mbështetësit e ndjejnë të gjithë veten të përfaqësuar.

Vetëm duke shkulur kolltukun e kryetarit do të ketë një parti që gjeneron dhe hap mundësi për të gjithë lëvizjet e spektrit nga qendra në të djathtë.

Në statut kryetari, ose më saktë menaxheri i partisë nuk cakton lista por i merr direkt nga rezultati i zgjedhjeve primare pa pasur të drejtën të bëjë asnjë ndryshim.

Grupi parlamentar, përfaqësuesit e këshillave bashkiakë zgjedhin vete pa ndikim kush do i drejtojë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre politik.

Përfaqësimi zyrtar i partisë është ai i grupit parlamentar që zgjidhet nga vetë grupi parlamentar.

Organet e partisë janë thjesht administrative, pa asnjë ndikim, as mediatik, as vendimarrje politike. Për çdo qëndrim madhor politik, aleancë zgjedhore apo qeverisëse si në nivel lokal apo qendror fjala i kalon anëtarësisë. Vetëm ajo vendos.

Kjo do çlironte energji dhe do të rikonfiguronte të djathtën. Askush nuk do të dojë një parti të vogël, por do të ishte shumë i respektuar nëse përfaqësonte një rrymë ose mbeshteste një rrymë që i përafrohet me qëndrimet dhe mendimet e tij politike.

Vetëm kështu mund të shpëtojë e djathta e të hapë një epokë të re të saj.

Kryetarokracia është e dëmshme për njerëzit e lirë!

Ky ndryshim rrënjësor i mënyrës së organizimit politik, zgjedhjes së përfaqësuesve politike nuk është për një palë zgjedhje, por për të konsoliduar demokracinë, vlerat, principet dhe votën në themel të tyre. Kjo reformë të bëhet për Shqipërinë, për të ardhmen e saj.