Vendosni fjalën kyçe....

Viktor Orban: S’mund të presim të na mbrojë NATO, kush mendon kështu e ka gabim


Kryeministri hungarez Viktor Orban gjatë një fjalimi këtë të premte, ka deklaruar se ai nuk i varte shpresat tek NATO për të mbrojtur vendin e tij, kur bëhet fjalë për veprime reale në lidhje me sigurinë.

 “NATO do të na mbrojë kur të jemi gati të mbrohemi. Kushdo që mendon se NATO do të na mbrojë e ka gabim.”– tha ai në një intervistë për radion shtetërore Kossuth, citon RT.

Orban vlerësoi faktin se Hungaria kishte arritur të riorganizonte ushtrinë e saj që nga viti 2010 dhe ishte mjaft e fortë për të mbrojtur veten dhe aleatët e saj. Megjithatë, ai beson se vendi duhet të qëndrojë larg luftës, pasi nuk ishte “puna e Hungarisë të rregullonte politikën botërore”.

Presidenti hungarez shtoi se siguria e qytetarëve hungarez ishte prioriteti i tij kryesor në këtë konflikt. Orban paralajmëroi gjithashtu se sanksionet perëndimore kundër Rusisë përbëjnë një “rrezik të menjëhershëm” për ekonominë, duke vënë në dukje se ato tashmë kanë pasur një ndikim në Hungari, ku çmimet e energjisë u përshkallëzuan me shpejtësi, duke shkaktuar inflacion të mëtejshëm.

“Sanksionet kanë një çmim pasi është një thikë me dy tehe dhe këtë çmim do ta paguajmë në një afat të shkurtër.”- tha ai në intervistë, duke shtuar se kjo ishte “vetëm fillimi i krizës”.

Orban komentoi gjithashtu për refugjatët ukrainas që mbërrijnë në Hungari. Ndërsa rreth 70% deri në 80% e 140 mijë të qytetarëve të zhvendosur po shkojnë në vende të tjera, ai tha se Hungaria dëshiron të ofrojë punë për ata që qëndrojnë. Ai shtoi se ka nisur tashmë bisedimet me punëdhënësit dhe shpjegoi se vendi i tij është gati të akomodojë refugjatët për tre muaj. Por paralajmëroi se më pas ata do të duhet të integrohen në shoqërinë hungareze. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e kujdesit shëndetësor, pasi pandemia e koronavirusit mbetet një problem.

Sipas OKB-së, më shumë se një milion njerëz janë larguar nga Ukraina që kur Moska filloi ofensivën e saj të enjten e kaluar, duke shkuar në Poloni, Rusi, Hungari, Moldavi, Rumani, Sllovaki dhe vende të tjera për të gjetur siguri.